Dënimin e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani me një vit burgim me kusht për korrupsion, Gjykata e shkallës së parë e ka mbështetur në “elemente të bashkëkryerjes”. Prova materiale kundër tij, sipas aktgjykimit të shkruar, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, nuk ka pasur.
Gjykata, dënimin e ka mbështetur në dëshmitë e dy dëshmitarëve, rektorit të tanishëm të UP-së, Marjan Dema e zëvendësdrejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) në Tiranë, Jorgjo Qiriako, të cilët kanë dhënë detaje rreth pranisë së Hasanit në Tiranë në momentin e dorëzimit të kontratës së ndryshuar për përkthim librash, shkruan sot Koha Ditore.
Përmes tyre, Gjykata ka konstatuar se është vërtetuar fakti se midis Hasanit, si dhe dy të dënuarve të tjerë, drejtorit të ISN-së, Albert Rakipi, si dhe ish-drejtorit të Prokurimit të UP-së, Hakif Veliu është shprehur “lidhja e caktuar subjektive e objektive për vënien në lajthim të komisionit të UP-së, për kryerjen e pagesës së kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për institutin nga Tirana”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)