Dënohen me burg të akuzuarit për grabitjen e 17 personave

Besnik Tërrnava e Fitim Rafuna, të akuzuar se në bashkëkryerje e në vazhdimësi kanë grabitur 17 persona, janë dënuar secili me burgim unik në kohëzgjatje prej 10 vjet e 3 muaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë i gjeti fajtorë të akuzuarit për veprën penale grabitje, së bashku me veprat penale rrëmbim, asgjësim apo dëmtim i pasurisë, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Bazuar në aktakuzë, grabitja e parë kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015 në rrugën “Mehmet Akif” të Prishtinës.

Këto grabitje kishin vazhduar në kohë dhe vende të ndryshme deri në prill të vitit 2016, ku gjithsej kishin arritur t’i grabisnin nëntë vetura, pronë e 17 viktimave.

Të akuzuarit kishin arritur të grabisnin me dhunë nga të dëmtuarit gjithsej të holla në vlerë prej 478 euro, tetë telefona, dy orë dore, dy zinxhirë dore (njëri prej tyre në vlerë prej 800 euro) dhe një zinxhir qafe.

Ata u dënuan me nga 7 vjet burgim e 1,000 euro gjobë për grabitje, 2 vjet burgim për dy rrëmbime, 6 muaj burgim për asgjësimin apo dëmtimin e pasurisë dhe 1 vjet burgim për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Si dënim unik, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, u shqiptoi që të dyve dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vjet e tre muaj.

Ndërkaq, të dëmtuarit e rastit për kërkesën pasurore juridike, u udhëzuan në kontest civil.

Në aktakuzë përshkruhen veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit e rastit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të të hollave përmes dhunës dhe përdorimit të armës.

Fillimisht, të akuzuarit u ishin afruar viktimave tek makina e tyre me fjalët: “Policia, policia, hapeni derën!”.

Disa nga viktimat kishin arritur që me shpejtësi të largohen nga vendi i ngjarjes, derisa të tjerët kishin pësuar dëme fizike e materiale, madje, disa nga të dëmtuarit edhe i kanë futur në bagazh të makinës së tyre, e më pas i kanë dërguar në vende rurale ku edhe i kanë rrahur./Kallxo.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme