Dënohet Banka Kombëtare Tregtare, dyshohet për pastrim parashë

Banka Kombëtare Tregtare dha dhjetëra milionë euro kredi për dy kompani në formë trusti të regjistruara në Zvicër, duke ngritur shqetësime për mospërmbushjen e vigjilencës së duhur ndaj rrezikut për pastrim parash.

Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe dhe më vjetër në Shqipëri, me më shumë se 2.9 miliardë USD depozita dhe një kapital të nënshkruar prej 274 milionë USD për vitin 2018-të. Në të njëjtin vit BKT është vlerësuar si banka më e mirë në vend nga revista britanike ‘The Banker’.

Gjatë fjalimit përshëndetës të mbajtur në nëntor në ceremoninë e dhënies së çmimit, kryetari i bordit drejtues, Mehmet Usta theksoi se ky vlerësim tregon qartë pozicioni dominues të BKT në tregun bankar shqiptar.

“Në BKT, ne i kuptojmë oraret e zgjatura, këmbënguljen, vizionin dhe përkushtimin e nevojshëm për të arritur një sukses të tillë prandaj e vlerësoj akoma më shumë që një punë kaq e madhe nuk ka kaluar pa u vënë re,” tha ai.

Përkushtimi për të qenë të suksesshëm mund ta kenë ngritur bankën me aksionarë turq në majat e piramidës së tregut bankar në Shqipëri; megjithatë, praktikat e saj të biznesit jo gjithmonë kanë gjetur mirëkuptimin e autoriteteve vendase – në mënyrë të veçantë në respektin e kuadrit ligjor në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër financimit të terrorizmit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se një inspektim i përbashkët i ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, DPPP dhe Banka e Shqipërisë, ka ngritur një numër ‘flamujsh të kuq’ mbi marrëdhënien e biznesit me kompani ‘offshore’ të regjistruara në Zvicër dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilat BKT ka transaksione me vlera të larta, por nuk ka dokumentacion të plotë ose nuk ka mbledhur mjaftueshëm informacion për qëllimin dhe natyrën biznesit dhe burimin e të ardhurave.

Duke i cilësuar këto mangësi si shkelje administrative serioze, dhe për faktin se ka pasur masa administrative të mëparshme, DPPP ka marrë vendimin për ta dënuar Bankën Kombëtarë Tregtare me një gjobë prej 3 milionë lekë për shkelje të dispozitave të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave për identifikimin e pronësisë, strukturës dhe transaksioneve të klientit. BKT është gjobitur gjithashtu me 2 milionë lekë për mosplotësim të detyrimeve për vigjilencën ndaj klientit.

BKT i ka kundërshtuar gjetjet e aktit të inspektimit dhe e ka ankimuar çështjen në Gjykatën Administrative në Tiranë, e cila ka vendosur për rrëzimin e  padisë dhe konfirmim e masës administrative. Ky vendim i Gjykatës Administrative është apeluar.

Drejtori i menaxhimit riskut në BKT, Ndue Maluta i tha BIRN se bëhej fjalë për masa administrative që nuk kanë të bëjnë me pastrimin e parave, ndërkohë që nënvizoi se kreditë e dhëna ndaj kompanive jashtë vendit janë paguar.

“Banka është e mirë-kapitalizuar dhe taksapaguesi më i madh në Shqipëri,” tha Maluta me krenari. “Ne kemi bërë analiza të thelluara dhe ‘diligjencën’ e duhur për kreditë që kemi dhënë,” shtoi ai.

Për shkak të rolit të rëndësishëm që bankat e nivelit të dytë kanë në ekonominë e vendit, ato kanë detyrime të qarta për sa i parandalimit të pastrimit të parave. Bazuara në përvojën ndërkombëtare edhe në Shqipëri sistemi i parandalues për pastrimin e parave është i instaluar në banka dhe është i bazuar në raportimin e aktivitetit të dyshimtë [RAD]. Përveç bankave në këtë sistem përfshihen një gamë e gjerë subjektesh raportuese – si noterët, përmbaruesit dhe kompanitë e ndërtimit, por sistemi bankar mbetet furnizuesi kryesor i rasteve të dyshimta.

Sipas ligjit subjektet raportuese monitorohen në aktivitetin e tyre nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në periudhën 20 shkurt – 15 mars 2017, DPPP së bashku me Bankën e Shqipërisë ndërmorën një inspektim të Bankës Kombëtare Tregtare, në lidhje me “respektimin e kuadrit ligjor në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër financimit të terrorizmit.”

Banka Kombëtare Tregtare është në pronësi të konglomeratit turk “Calik Holding’, i cili deri në vitin 2012 drejtohej nga Berat Al Bayrak -Ministër i Financave i Turqisë dhe dhëndër i Presidentit Recep Tayip Erdogan. Përveç Bankës Kombëtare Tregtare në Shqipëri grupi Calik zotën dhe kompaninë Albtelekom dhe disa hidrocentrale.


Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Reporter.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme