Një gjykatë në Ukrainë e ka shpallur fajtor për tradhti ish-presidentin e vendit, Viktor Yanukovych. Ai është shpallur fajtor për përpjekjet për t’i shtypur protestat pro-perëndimore të vitit 2014, të cilat më pas e kishin rrëzuar atë nga pushteti.
Yanukovych është akuzuar se ka kërkuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë pasi ai vetë ishte larguar nga vendi. Vendimi i gjykatës erdhi gati pesë vjet pas rrëzimit të tij nga pushteti dhe mund të shërbejë si vlerësim i rëndësishëm përmbyllës për ngjarjet e vitit 2014.
Më shumë se 100 persona ishin vrarë gjatë këtyre protestave, shumë prej të cilëve ishin qëlluar nga snajperët. Sidoqoftë, dënimi nuk mund të ketë efekt të plotë sepse i dënuari është strehuar zyrtarisht në Rostov të Rusisë. Protestat e vitit 2014 kishin shkaktuar njërën prej situatave më dramatike të Ukrainës që nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik.
Gjykata e kishte ftuar ish-presidentin që të japë dëshmi përmes videos në një seancë të mbajtur në muajin nëntor, por ai nuk i ishte përgjigjur ftesës së gjykatës. Avokatët e tij e kanë arsyetuar këtë mungesë për shkak të lëndimit në shpinë dhe gju gjatë një loje tenisi. Besohet që ai tash jeton në një rezidencë luksoze në periferi të Moskës, shkruan “The Guardian”.



