Dënohet me 4 vjet burgim dileri i drogës në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues për dy vepra penale ndaj të akuzuarit me iniciale V.H. nga Prizreni.

Sipas kësaj gjykate, ai akuzohet se në periudhën kohoren prej datës 31.08.2016 deri më datën 01.09.2016, pa autorizim transporton, blen posedon dhe ofron për shitje substancë psikotrope që janë të ndaluara me ligj.

Gjithnjë sipas komunikatës, mësohet se i dënuari, me automjetin e tij të markës “Jaguar”, substancat narkotike të llojit marihuanë, i fsheh në bunkerin e ndërtuar në automjet dhe pastaj me qëllim të shitjes i transporton në atë mënyrë që këtë substancë ia ofron për shitje personit me iniciale E..

Substancën në fjalë, policia e gjen gjatë bastisjes së shtëpisë së banimit dhe e konfiskon një sasi të përgjithshme prej 672,69 gr., sipas ekspertizës laboratorike të kryer.

“Andaj gjykata e ka shpallur fajtor për shkak se ka kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga neni 273 par.2 të KPRK-së, dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 1.000 (njëmijë) euro”, thotë Gjykata Themelore në Prizren.

Ndërsa, i njëjti akuzohet po ashtu edhe për veprën e dytë penale se me datën 01.09.2016 në Prizren, në shtëpinë e tij, pas një kontrolli nga ana e policisë, është gjetur se në kundërshtim me ligjin për armët, mban në pronësi armët- një revole TT, kalibri 7.62 mm, 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm., 32 fishekë të kalibrit 9 mm. me mbishkrimin PPU dhe 800 kapsolla ndezës eksploziv të vendosura në 8 kuti nga 100 copë.

Andaj gjykata e ka shpallur fajtor për shkak se ka kryer veprën penale ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 374 parag. 2 të KPRK-së dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv prej 2 (dy) vitesh.

“Në kuptim të nenit 80 parag.1 e 2 nën parag.2.2 të KPRK-së, të akuzuarit i shqiptohet dënimi unik me burgim efektiv prej 4 (katër) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 1.000 (njëmijë) euro”, thotë Gjykata.

Të akuzuarit i shqiptohet edhe dënimi plotësues, ku nga i akuzuari konfiskohet sasia e përgjithshme e substancave narkotike në peshë prej 672,69 gr., një revole TT kalibri 7.62 mm, 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm., 32 fishekë të kalibrit 9 mm. me mbishkrimin PPU dhe 800 kapsolla ndezës eksploziv të vendosura në 8 kuti nga 100 copë, 44 kartëmonedha me apoena prej 500 eurove, një kartëmonedhë me apoen prej 200 euro, 2 kartëmonedha me apoena prej 200 euro, 2 kartëmonedha në apoena prej 50 eurove, 4 kartëmonedha me apoena prej 20 euro, 14 kartëmonedha me apoena prej 10 eurove si dhe 18 kartëmonedha me apoena prej 5 eurove, një portofol me disa kartela bankare, një telefon i markës iPhone dy telefona të markës Samsung dhe një automjet i markës “Jaguar” me ngjyrë ari.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme