Gjykimi i Granit Paçarizit të akuzuarit për vrasje në tentativë rifilloi për herë të tretë për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.
Në seancën e kaluar të këtij gjykimi kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani njoftoi tërheqjen nga ky gjykim, për arsye se i akuzuari Paçarizi ka filluar të hetohet për kanosje ndaj gjyqtarit Osmani.
Paçarizit edhe sot iu lexua aktakuza, ndërsa ai u deklarua i pafajshëm për vrasje në tentativë.
Deklaratave të mëparshme të dhëna gjatë procesit gjyqësor u qëndruan besnikë të dëmtuarit Egzon Krasniqi dhe Hamid Alemdar. Të njëjtën gjë e bënë edhe dëshmitarët Hajredin Gushi, Ideal Paçarizi, Amir Kryeziu si dhe eksperti mjeko ligjor dr. Flamur Dulaku.
Në seancën e sotme avokati Pjetër Përgjoka dhe vetë i akuzuari kërkuan ekspertizë të re për lëndimet që granit Paçarizi i mori gjatë përleshjes me të dëmtuarit.
Ekspertiza e mëhershme, këto lëndime të Paçarizit i cilësoi të lehta, ndërsa mbrojtja e tij dhe vetë i akuzuari pretendojnë se bëhet fjalë për lëndime të rënda.
Por kërkesa për ekspertizë të re u refuzua nga gjykata.
“Trupi gjykues e refuzoi këtë propozim me pretekst se është bo edhe një procedurë paraprake në të cilën është vlerësuar karakteri i lëndimeve trupore të Granit Paçarizit. E jona është që trupin gjykues ta bindim edhe më tutje se është e nevojshme që të vërtetohet karakteri i lëndimeve trupore për me pas mundësi që në të ardhmen të bëjmë edhe propozime tjera që shkojnë në favor të mbrojtjes së të akuzuarit,” tha Pjetër Përgjoka, avokati i Granit Paçarizit.
Në gjykatë munguan Dardan Çollaku e Ramadan Tredhaku, ndërsa gjykata vendosi të kërkojë nga policia adresat e tyre.
Seanca pastaj u ndërpre, ndërsa u vendos që të vazhdojë më 16 mars 2017.
Granit Paçarizi akuzohet se më 6 korrik 2013 rreth orës 17:00 në Prizren para lokalit- pastiçerisë “Jupa” me dashje ka tentuar t’ i privojë nga jeta personat Egzon Krasniqi dhe Hamit Alemdar nga Prizreni për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin ndodhur ditë më parë me djalin e vëllait të tij Ideal Paçarizin.
Sipas aktakuzës, ditën e 6 korrikut 2013 të dëmtuarit pasi zbritën nga vetura filluan sulmin me mjete të forta ndaj Xhevat Dulakut dhe Granit Paçarizit që ishin ulur në një tavolinë para lokalit “Jupa”.
Atëherë, siç thuhet në aktakuzë, Paçarizi nxori pistoletën e tipit “Crvena Zastava” dhe qëlloi në drejtim të të dëmtuarve duke u shkaktuar atyre lëndime të rënda.
Granit Paçarizi i kishte thënë “Drejtësisë në Kosovë” në maj të këtij viti se në seancën e gjykimit të tij për vrasje në tentativë i kishte thënë gjyqtarit Osmani që prokurori Hamitaga ia ka kërkuar 5 mijë euro.
“Drejtësia në Kosovë” shfaqi dy emisione rreth dyshimeve për korrupsion të prokurorit Bajram Hamitaga dhe shoferit të prokurorisë Luan Delili.
Pas emisionit, prokurori Hamitaga u suspendua nga puna, ndërsa shoferi Luan Delili u shkarkua. Ndaj tyre është ngritur aktakuzë nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.