Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në mënyrë urgjente të thirren në raportim ministrat relevantë për rastin e arrestimit të gjashtë turqve dhe deportimin e tyre.
“LDK do të ftojë në raportim urgjent, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Ministrin e Drejtësisë, për ta njoftuar Kuvendin lidhur me deportimin e 6 shtetasve të huaj”, thuhet në komunikatë.
“Vetëm respektimi i plotë i instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut mund të shërbejë për avancimin e raporteve bilaterale me shtetet mike”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë shqetësimin e saj me gjendjen e krijuar në Kosovë, ditët e fundit, kur është shpërfaqur mungesa e theksuar e koordinimit institucional. LDK-ja u bën thirrje bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës, të ndërprejnë praktikat e përdorimit të institucioneve për larjen e hesapeve ndërmjet tyre”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, si institucione të një shteti të pavarur dhe demokratik, duhet të zbatojnë me përpikëri Kushtetutën e vendit dhe të gjitha veprimet duhet t’i ndërmarrin në pajtim edhe me obligimet që dalin nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare”.
“Rasti i arrestimit dhe ekstradimit të 6 shtetasve turq kërkon trajtim të vëmendshëm, për shkak të natyrës specifike të këtij rasti, por edhe për shkak të dyshimeve për motivin e anashkalimit të procedurave ligjore të aplikueshme për rastet e ekstradimeve të shtetasve të huaj”.