E martë, 18 Tetor 2016 – Sakte.net
Grupet parlamentare do të dalin me një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit.
Ky qëndrim ka dalë sot pas një takimi që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pasur me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme.
Kryetari Veseli, tha se pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.
Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, tha se tashmë të gjithë janë të shqetësuar për mos liberalizimin e vizave.
“Jemi në një proces kur ne duhet të dëshmojnë që kemi një unitet të brendshëm dhe sa i përket çështjes së integrimeve dhe çështjes së integrimit të vendit jemi të përkushtuar të gjithë si pozita si opozita”, ka thënë ndër tjerash Reçica.
Përfaqësuesit e opozitës, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Zafir Berisha nga Nisma, shprehën edhe njëherë qëndrimet e tyre lidhur me versionin aktual të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mirëpo theksuan përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për procese me interes për Kosovën.
Në këtë takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, transmeton Telegrafi.