Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, Nisma për Kosovën, të shtunën ka hapur fushatën zyrtarisht edhe në Prizren, ku prezantoi kandidatët për deputetë dhe shpalosi programin qeverisës para simpatizantëve.
Kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj ka thënë se Nisma nuk ka dhënë premtime asnjëherë, por e kemi ndier për obligim të punojmë për vendin tonë.
“Në projektin tonë janë investimet në bujqësi, fondi i vetëpunësimit, dy projekte këto të mëdha. Me Nismën në Kosovë duhet të ndërpritet pabarazia. Në Kosovë nuk do të ketë më familje që nuk do të ketë së paku një të punësuar”, ka thënë ai.
Kryetari i Nismës për Prizren dhe kandidati për deputet Zafir Berisha kanë thënë se Nisma për Kosovën ka njerëz që kanë përvoja politike dhe se orientimi social demokrat i Nismës është te zhvillimi ekonomik.
“Vizioni i Nismës është vizion i qytetarëve dhe më lejoni që nga këtu të bëj thirrje të mbështetni deputetët e Nismës, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë t’i jenë besnik votuesit”, ka thënë Berisha.
Berisha ka premtuar fuqishëm se projekti aktual për demarkim nuk do të kalojë me votën e deputetëve të Nismës.
“Asnjë politikan nuk do të bëjë pazar me shtetin tonë që është larë me gjakun e shumë dëshmorëve”, pohoi ai.
Në këtë tubim të pranishëm ishte edhe Bilall Sherifi dhe Haxhi Shala.