Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale kanë vizituar kirurgët të cilët janë në grevë dhe të distancuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Arbër Morina nga kolegjiumi i kirurgëve tha se kërkesat e tyre janë të qarta dhe ata nuk do të heqin dorë nga to.
Sipas tij, përkrahje të kirurgëve ka edhe nga spitalet rajonale.
“Ne e kemi një kërkesë të vetme ngritja e koeficientit për profesionistët. Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili është zotu që nëse nuk realizohet kërkesa jonë e drejtë në korrik ai ka me iu bashkangjitë kauzës tonë. Ne nuk duhet të përzihemi me Sindikatën e Shëndetësisë, ne konsiderojmë se ata janë të manipuluar”, tha Morina.
Ai tha se janë te revoltuar për shkak se Qeveria do ta votojë buxhetin pa paraparë ngritjen e rrogave të kirurgëve.
“Nëse një prokuror paguhet me një sasi te caktuar në këtë shtet atëherë ligji nuk mund të jetë ligji diskriminues për mjekët”, tha Morina.
“Sindikata kur e ka kuptu se po organizohem për grevë kanë marrë vendim me hy në grevë kur kemi hyrë ne, po tentojnë me përvetësu një iniciative apolitike, ne jemi këshill profesional dhe asgjë tjetër”, shtoi Morina.
Anëtari i Komisionit Parlamentar, Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës e quajti të arsyeshme grevën e mjekëve.
“Kjo grevë është e arsyeshme dhe është pasojë e vendimeve politike të mbrapshta që i ka marrë edhe qeveria që tash udhëheq”, tha ai.
Ai tha se ligji për buxhetin nuk parasheh rritje dhe nuk ka mbulesë.
Anëtarja tjetër Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga Vetëvebdosje tha se ky projektligj ka qenë elektoral.
“Edhe sikur te votohet tani duhet me pyet Qeverinë se ku ka me i marrë të hollat”, tha ajo.
Ajo tha se Qeveria i rriti pagat me një vendim për vete e pastaj i ka futur procedurat për ato rritje.
Më herët, kirurgët thanë se nuk e mbështesin kërcënimin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë për radikalizim të masave në kërkim të rritjes së pagave.