Deputetët presin nga Thaçi ta konkretizojë nismën për FSK-në

Deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare në Kuvendin e Kosovës presin nga presidenti, Hashim Thaçi që ta konkretizojë nismën e tij për ndryshimin e Ligjit për FSK-në me të cilin kësaj force do t’i jepeshin kompetenca më të mëdha në fushën e sigurisë.
Në ceremoninë e parakalimit të djeshëm të pjesëtarëve të FSK-së në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, presidenti Thaçi e pranoi se transformimi i FSK-së në Forcat e armatosura të Kosovës nuk ka ecur ashtu siç ishte pritur.

Për t’i bërë ndryshimet e duhura kushtetuese Kuvendit do t’i duheshin dy të tretat e votave të 120 deputetëve përfshirë edhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare.

Aktualisht, Lista Serbe e cila përfaqësohet në Kuvend me 11 deputetë po refuzon që ta mbështesë transformimin e FSK-së.

“Kushtetuta moderne e Kosovës, mua si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën për të ndryshuar ligjin e FSK-së”, tha Thaçi gjatë fjalimit të djeshëm.

Duke iu drejtuar ushtarëve të FSK-së, presidenti Thaçi e bëri të qartë se shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në.

“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, theksoi presidenti Thaçi.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot nuk deshi që ta komentojë pasi që tha se nuk e ka parë ende në letër propozimin e Thaçit.

“Sa i përket çështjes se çka ka iniciuar Presidenti, unë nuk mundem me e komentu, përderisa nuk e kam pa atë material. Unë më shumë kam dëgjuar deklarata retorike si zakonisht”, tha Haradinaj. Megjithatë ai për momentin e sheh të rrugës ndryshimin e misionit të FSK-së.

“Duke e parë që Lista Serbe nuk ka vullnet për me e votu shndërrimin e FSK-së, atëherë mbeti rrugë e vetme ndryshimi i misionit dhe kapaciteteve”, shtoi Haradinaj.

Njëjtë si Haradinaj, këtë çështje nuk ka preferuar ta komentojë as shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

Ai thotë se është në dijeni se Zyra e Presidentit dhe Ministria e FSK-së është duke punuar në këtë ligj aq sa është bërë e ditur për publikun në dy ditët e fundit.

“Nuk ka ardhur ende asnjë version. Është e përcaktuar me kushtetutë se për çfarë çështjesh duhet 2/3 e çka për ndryshimet e thjeshta në ligj, por pa e parë nuk mundem me komentu asgjë”, tha Pajaziti për KALLXO.com

Ndërsa deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se shpreson që nisma e Thaçit të jetë e sinqertë.

“Uroj që nisma e Presidentit Thaçi të jetë e sinqertë, gjithashtu e bazuar në nevojat e kohës dhe të jetë e pakontestuar nga partnerët strategjikë”, tha Quni, duke aluduar në shtetet perëndimore dhe NATO-s si mbikëqyrëse e zhvillimit të FSK-së.

Ai ka kërkuar nga shtetet fqinje dhe nga skeptikët e komunitetit ndërkombëtar, se ushtria e Kosovës do të jetë garantuese e paqes.

Ndërsa Driton Selmanaj nga Instituti “Democracy Plus” tha se për ta ndryshuar ligjin për FSK-në nuk duhen votat e2/3 të deputetëve të komuniteteve joshqiptare.

“Për ndryshime legjislative nuk ka nevojë për 2/3 e as deputetëve shumicë e as atyre pakicë. Kjo çështje mund ta kalohet më shumicë të thjeshtë të deputetëve. Këtu në pyetje është se nëse duhet të ndryshohet kushtetuta apo jo, se nëse ka pasoja kushtetuese kjo tematikë, këtu na del dilema. Ndërkohë për ndryshim të ligjit është proces krejt i thjeshtë, proces i rregullt se si plotësohet dhe ndryshohet një ligj i caktuar”, tha Selmanaj.

Megjithatë Selmanaj e sheh këtë veprim si tentim për të gjetur një zgjidhje në pamundësi për t’i bindur deputetët serbë të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

“Këtu po mundohet të gjendet një zgjidhje, një kompromis, nga pamundësia për t’i bindur serbët që të ndryshojnë Kushtetutën. Unë mendoj që kjo çështje ka nevojë edhe për ndryshime kushtetuese. Çështja e Ushtrisë së Kosovës, pra shndërrimi i FSK-së, në Ushtri të rregullt të Kosovës duhet bërë ndryshimet kushtetuese. Ndryshimet ligjore janë si një fazë përgatitore për të ardhur deri te ndryshimet kushtetuese por nevoja për ndryshime kushtetuese është e domosdoshme”, tha Selmanaj.

Presidenti Thaçi gjatë ditës së djeshme kur u hap epopeja e UÇK-së deklaroi se FSK-ja shumë shpejt do të transformohet në ushtri. /Kallxo.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme