Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka akuzuar qeverinë aktuale bashkë me LDK-në, se po bëjnë vepër kriminale e kundër interesave kombëtare me ujdinë për ta miratuar demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.
“Kjo qeveri e papërgjegjshme, në bashkëpunim me LDK-në që tradicionalisht interesat e ngushta partiake i kanë vënë mbi interesat e vendit duke u përpjekur që këto veprime t’i paraqesin si konsensuse, tashmë jo vetëm se marrin vendime dhe veprime paradoksale, por e kanë humbur krejtësisht betejën me ndërgjegjen, janë dorëzuar tashmë. Ata me vetëdije të plotë po bëjnë vepër kriminale dhe po punojnë kundër interesave kombëtare”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, tashmë deputetët duhet të dëshmojnë para qytetarëve se kanë ndërgjegje.
“Fjala ‘si orientim’ e kërkuar nga LDK-ja dhe e pranuar nga Kryeministri Haradinaj, paradoksalisht e kthen projektligjin në një dokument që do të duhej të votohej kundër nga secili deputet/e. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala orientim është udhëzim a këshillë që i jepet dikujt për ta pasur si drejtim të përgjithshëm në një punë a në një veprimtari. Nëse Raporti i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës Kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e cila konstaton se me këtë Projektligj humben 8,200 hektarë territor, merret si orientues, atëherë cili deputet/deputete mund të votojë pro një marrëveshje të tillë”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë tutje se është përgjegjësi kushtetuese e secilit deputet/e të ushtrojë funksionin në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.
“Votimi pro këtij Projektligji duke u orientuar edhe në Raportin e Komisionit, e bën secilin deputet/e fajtor që me vetëdije dhe vullnet të plotë bën vepër penale dhe e dëmton shtetin e vet”, ka thënë ajo.
© KOHA.