Në prag të fundjavës, shumica e deputetëve nuk ishin në sallën e Kuvendit, ku po mbahej seanca gjatë ditës së djeshme.
Kështu, Kuvendi vazhdon të përballet me mungesë interesimi të deputetëve për punën e tyre, raporton KTV.
Me gjithë paralajmërimet e hershme që të premten do të kishte seancë të re, numri i deputetëve nuk arrinte as 60-shin, gjë që pamundësonte votat e mjaftueshme për miratimin e rendit të ditës dhe pikave të tjera.
Deputetët nuk erdhën në sallë, pavarësisht që seanca u shty dy herë.
LDK-ja kërkoi nga kuvendi që të marrë masa ndaj deputeteve të papërgjegjshëm.
Ky propozim u mbështet nga nënkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti, por u kundërshtua ashpër nga koalicioni qeverisës.
Kjo shtyri Halitin që të vendosë që seanca të vazhdojë nga ora 15, me kushtin që të ishin deputetët në sallë, sidomos ata të pozitës, e që mungonin.
Një gatishmëri e tillë sërish nuk u respektua dhe seanca nisi me rreth 30 minuta vonesë.
Gjatë paradites, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, u arsyetua për mungesën e tij dhe të disa deputetëve të tjerë në ditën kur ishte parashikuar votimi i demarkacionit.
Por, me këtë arsyetim nuk u pajtua kryetari i kuvendit, Kadri Veseli.
Në këtë seancë, ishin të parashikuara të diskutohen 30 pika të rendit të ditës.