Largimi i 13 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje e ka goditur këtë parti, duke ia humbur epitetin e partisë më të madhe në Kuvend, të cilën e gëzonte deri dje.
Nga 13 deputetët e dorëhequr dje, 12 prej tyre kanë formuar grup të ri parlamentar “Grupi i Deputetëve të Pavarur”, kurse një deputete u kthye në AAK.
Megjithatë, Vetëvendosje thotë se ata nuk u larguan vetëm nga kjo parti, por u larguan edhe nga populli.
“Më shumë sesa largim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! këta deputetë janë larguar nga populli që i ka përkrahur”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas VV-së, deputetët e larguan po marrin padrejtësisht me vete edhe mandatet e deputetëve. Madje ata i ka quajtur edhe mashtrues të qytetarëve dhe përfitues nga fondi i partisë i dedikuar për fushatë.
“Ata po marrin me vete padrejtësisht mandate që nuk u takojnë, duke shkelur mbi punën dhe sakrificat e mijëra aktivistëve, duke mashtruar me mijëra qytetarë, dhe duke përfituar nga fondi dedikuar për fushatë e për shumë aktivitete të tjera për ta ndër vite”, vazhdon më tej reagimi.
Duke marrë për bazë zhvillimet e fundit, Vetëvendosje nuk arrin të marrë forcën dhe t’i falënderojë 13 deputetët për punën e deritashme në këtë parti.
“Do duhej sigurisht që ata të falënderoheshin për kontributin e tyre të mëhershëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por marrë parasysh manipulimin e madh që kanë orkestruar në opinion publik ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë gjithë këtyre muajve, marrë parasysh të pavërtetat që kanë thënë, marrë parasysh shtrembërimin e madh që kanë shkaktuar ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, do të dukej shumë hipokrite nga ana jonë që këtë falënderim ta bënim pikërisht sot”, thuhet më tej aty.