Deputetët të gatshëm për të nënshkruar hetimin ndaj SHIK-ut

Kanë kaluar tashmë gjashtë vite që kur në parlament, deputetët e opozitës kanë kërkuar formimin e një Komisioni hetimor rreth veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), në krye të të cilit ka qenë i pari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, shkruan Gazeta Blic.

Edhe pas dy dështimeve për të siguruar nënshkrimet e nevojshme, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është ajo që e ka ngritur përsëri këtë temë në kuvend, duke kërkuar kështu përkrahjen nga grupi tjetër opozitar, LDK.

Haxhiu kërkoi ndihmën e LDK-së vetëm edhe për 8 nënshkrime, pasi që Vetëvendosje ka tashmë 32 deputetë që përkrahin këtë nismë.

”Meqë prokuroria asnjëherë nuk ka nisur hetimet për SHIK-un dhe as që e ka ndërmend të bëj diçka në këtë drejtim, atëherë sigurisht që një hetim të tillë duhet ta bëj Kuvendi dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse ne që tri legjislatura, prej se jemi pjesë e institucioneve, kemi kërkuar hetimin e kësaj organizate kriminale dhe ilegale”, tha Haxhiu, shkruan Gazeta Blic.

E është vetë Kadri Veseli, që pas akuzave për vrasje të komandant ‘Drinit’ ka premtuar që i pari do të nënshkruajë hetimin e kësaj organizate.

Madje, Veseli shtoi se të gjithë deputetët e PDK-së janë të obliguar t’i sigurojnë 40 nënshkrime për këtë hetim.

Gazeta Blic ka kontaktuar kështu grupet parlamentare për të marrë një qëndrim se sa do të siguroheshin nënshkrimet për këtë komision.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Naser Rugova ka bërë të ditur se LDK  e mbështet këtë hetim, mirëpo sipas tij kjo do të ndodhë në një kohë më të përshtatshme politike.

”Kjo mundet me ndodh dhe do të ndodhë, por në një kohë më të përshtatshme edhe në aspektin politik por edhe të ngjarjeve tjerave që e prekin skenën politike dhe Kosovën në javët në vijim”, tha Rugova.

Deputeti i LDK-së-Naser Rugova

Në anën tjetër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha për Gazeta Blic se AAK është e gatshme të jap nënshkrimet, kur do që një hetim i tillë të vjen në pyetje.

”Kur do që të mund të vijë në pyetje nënshkrimi ne jemi të gatshëm t’i japim nënshkrimet sepse është një interesim edhe i mëhershëm”, tha Isufi.

E se sa do të mund t’i paraprinte AAK këtij hetimi dhe mbledhjes së nënshkrimeve, ai shtoi se Vetëvendosje do të bëjë një gjë të tillë, mirëpo AAK do t’i mbështet.

”Iniciuesit e nënshkrimit do të bëjnë një gjë të tillë, ne jemi të gatshëm që kurdo herë t’i përgjigjemi”, shtoi ai.

Isufi tha se interesimi ka qenë që një gjë e tillë të ndodhë edhe më herët, mirëpo nuk ka ndodhur.

”Ka pas interesim edhe më herët, por nuk ka ndodhë, arsyet i dinë iniciuesit dhe ata që nuk kanë qenë të gatshëm ta votojnë”, përfundoi ai.

Ahmet Isufi-Shef i grupit parlamentar të AAK-së

Nga Nisma për Kosovën, deputeti Zafir Berisha tha për Gazeta Blic se nuk e kanë shqyrtuar ende këtë temë, pasi që ai mendon që kjo temë hapet në kuvend vetëm partitë të fillojnë të akuzojnë njëra-tjetrën.

”As që e kemi shqyrtuar këtë gjë edhe me thënë të drejtën kjo temë hapet vetëm kur ka nevojë me akuzu njëri-tjetrin dhe me naivitetin e individëve në Kuvend nuk merremi, gjegjësisht kjo duhet të shtrohet seriozisht jo kujt të ju teket me dal me fol, kjo është çështje më e rëndësishme se një deklaratë e momentit që jepet në kuvend për me e akuzu njëri-tjetrin”, pohoi Berisha.

Zafir Berisha-Deputet i Nisma për Kosovën

E lidhur me këtë çështje, i kontaktuar nga Gazeta Blic deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri tha se nuk mund të flet pa pasur fakte, mirëpo nëse del diçka që ka bërë SHIK-u atëherë do të shikoj edhe pjesën për përkrahje të këtij hetimi.

”Unë jam një deputetët për kërkesat e popullatës time, ndërsa për SHIK-un janë agjenci më të larta që duhet t’i shohin vendimet e tyre në të kaluarën, unë konsideroj se më nuk funksionon SHIK-u” tha Tahiri.

E sa i përket asaj se sa do të përkrahë një komision të tillë, ai ka shtuar se fillimisht duhet të bëhet një progres për liberalizim të vizave, demarkacion sepse kjo ju duhet qytetarëve.

”Nëse i duhet për hetime dikujt, mendoj se ka kohë akoma për të hetuar. Fillimisht unë jam që ‘Shteti’ duhet të forcohet, e pastaj shikohen mundësit tjera. Në parlament, jo të bëhen diskutime siç janë UDB-ja- apo SHIK-u!”, përfundoi ai.

Deputeti i AKR-së-Labinot Tahiri

Ndryshe, Vetëvendosje kishte filluar mbledhjen e nënshkrime për krijimin e komisionit hetimor për SHIK-un, fillimisht në vitin 2012-të, duke mbledhur kështu 27 nënshkrime.

Edhe në vitin 2015, subjektet opozitare patën filluar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve, por kjo nismë dështoi pasi ata nuk arritën t’i sigurojnë nënshkrimet e 40 deputetëve sa nevojiten për formimin e komisionit.

Përfundimi i aktiviteteve të organizatës së SHIK-ut u deklarua në vitin 2008-të nga vetë Kadri Veseli.

Veseli gjithashtu kishte thënë se para të merrte detyrën si shef i SHIK-ut në mars të 1999-ës kishte qenë shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, për krijimin e SHIK-ut ishin pajtuar atëkohë edhe Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova.

Mbetet të shihet nëse në qeverinë në krye me Ramush Haradinaj do të krijohet ky komision hetimor./GazetaBlic

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme