Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook duke komentuar gjendjen aktuale politike pas 6 tetorit, ka thënë se zgjedhje afër nuk ka sigurt.
“Nëse PAN-i me 39 deputetë, arriti t’i bënte 61 (minus 22), Koalicioni i ndryshimit 57 deputetë (me vetëm minus 4) të shkojë në zgjedhje s’ka me ndodhë assesi. Mjaftojnë edhe 4 nga 10 deputetë të pakicave joserbe, por munden edhe deputetët serbë, e ndoshta edhe deputetë të veçantë të opozitës të votojnë, prandaj problemi i numrave nuk ekziston”.
Deputeti që fitoi edhe një mandat në Kuvend ka shtuar se në zgjedhje mund të shkojnë vetëm nëse vendosin dy partitë e para.
“Në zgjedhje shkojmë vetëm nëse LDK dhe LVV pajtohen të shkojnë zgjedhje, apo nëse partia që ka drejtën e mandatimit të KM d.m.th. LVV nuk do të mandatojë kandidatin e saj dhe t’i sigurojë edhe ata 4 deputetë të pakicave që me Kushtetutë është i obliguar t’i ketë në qeveri. Këto pakica kanë jo 4 por 20 deputetë, që d.m.th. qeveria e re do t’i ketë gjithsej 78 deputetë (jo 61 si ajo e kaluara) të cilët do të duhej ta votonin Qeverinë e re”. Ai në fund ka thënë se kjo s’ka të bëjë fare me Nismën a hyn apo jo në parlament, prandaj zgjedhje do të ketë tek në vitin 2023.