Gjykatësi Beqir Kalludra ka përjashtuar nga seanca Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin, pasi kanë bërë pyetje lidhur me mungesën e dëshmitarit Kadri Veseli në gjykatë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi tha se seanca e sotme ka shkuar në mënyrë jo normale pasi tre të akuzuarit, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Albin Kurti gjyqtari i ka larguar nga seanca, pasi kanë bërë pyetje lidhur me mungesën e dëshmitarit Kadri Veseli në gjykatë.
“Ky gjyq politik për katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkuar në një mënyrë jo normale, pasi tre të akuzuarit janë përjashtuar nga gjykatësi për shkak se kanë bërë pyetje të lidhje me mungesën e dëshmitarit Kadri Veseli. Nga gjykata janë përjashtuar edhe disa nga ne që kemi qëndruar aty vetëm si vëzhgues. Është përjashtuar Sali Zyba, të cilit pastaj gjykatësi i ka thënë se në gjykatën time asnjëherë nuk do të lejoj që të merrni pjesë”, tha ai.
Sipas Ismajlit, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, edhe pse u përjashtuan nga seanca, janë duke u mbajtur në një dhomë duke u privuar nga liria pa asnjë dokument dhe që të dy mbeten aty për konsultim me avokatët e tyre.
Ndërsa, deputeti Adem Mikullovci tha se ka ardhur sot të shohë për së afërmi gjyqtarin Beqir Kalludra për të cilin tha se e ‘çon ujin përpjetë’ dhe i cili sipas tij, i dënon njerëzit e pafajshëm duke i dërguar në burg sipas qejfit të vet pa kurrfarë dëshmie.
“Mu duk një komedi e dobët, cilën në teatrin tim nuk do ta kisha lejuar. Kjo duhet të ndërpritet patjetër. Ky është gjykim politik”, tha ai.