‘Der Standard’: Vuçiç arreston politikanët e opozitës, ambasadori Chris Hill del kundër protestuesve

Nga Adelheid Woelfl, DER STANDARD

Më shumë se një javë pas zgjedhjeve në Serbi, protestat vazhdojnë për parregullsitë dhe manipulimin e mundshëm zgjedhor nga Partia Progresive Serbe në pushtet e presidentit Aleksandër Vuçiç. Të dielën, anëtarët e opozitës u përpoqën të sulmonin ndërtesën e administratës së qytetit dhe thyen një dritare. Protestuesit brohorisnin ‘hapni derën’ dhe ‘hajdutë’, ndërsa goditën ndërtesën me vezë. Disa brohorisnin ‘Vuçiçi është Putin’ dhe e krahasuan presidentin serb me presidentin autoritar rus.

Përleshjet shpërthyen mes demonstruesve dhe policisë. Rreth 38 protestues u arrestuan, mes tyre dy politikanë të opozitës. Këshilltari i qytetit të Beogradit, Sasha Damnjanoviç dhe Predrag Petronijeviç nga Krushevci, akuzohen se kanë bërë thirrje për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues dhe për sjellje të dhunshme. Të dy pritet të akuzohen.

“Ka njoftime se do të ketë sërish arrestime të politikanëve nga lista ‘Serbia kundër dhunës’ dhe kjo nuk është asgjë tjetër veçse persekutim politik i disidentëve,” tha lideri i opozitës, Miroslav Aleksiç. Partia SNS shënoi një fitore të qartë në zgjedhjet parlamentare me 48 përqind të votave, në zgjedhjet lokale në Beograd, SNS arriti pak më shumë se 40 përqind, kurse aleanca opozitare ‘Serbia kundër dhunës’ mori mbi 35 përqind.

Paralajmërimet për një ‘Maidan’

Të hënën, studentët bllokuan disa rrugë në qendër të Beogradit. Një gazetar është sulmuar nga policia. Ndërkohë shtatë anëtarë të lëvizjes ‘Serbia kundër dhunës’ janë në grevë urie për të kërkuar anulimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Presidenti Vuçic tha se protestat ishin të planifikuara paraprakisht dhe se qeveria kishte prova të forta për këtë. Ai sugjeroi se trazirat ishin nxitur nga jashtë. Prej disa kohësh- bazuar në propagandën e Kremlinit, regjimi serb ka paralajmëruar për një skenar ‘Maidan’, pra protesta masive si në Ukrainë që çuan në ndryshimin e qeverisë. Kremlini e mbështet këtë narrativë të regjimit serb.

Vuçiçi i quajti demonstruesit banditë, të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit. Kryeministrja Ana Brnabiç tha gjithashtu se skenari ishte i njohur paraprakisht dhe falënderoi autoritetet ruse të sigurisë për informacionin ‘që ata ndanë me ne’ në lidhje me këtë. Të hënën, Vuçiç u takua me ambasadorin rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharçenko.

Zhvendosjet e organizuara të votuesve

Protesta nisi më 18 dhjetor, një ditë pas zgjedhjeve, para ndërtesës së komisionit zgjedhor. Përkrahësit e lëvizjes opozitare ‘Serbia kundër dhunës’ kërkuan anulimin e zgjedhjeve. Ka pasur shkelje të shumta, veçanërisht në zgjedhjet lokale në Beograd, të cilat u zhvilluan në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare.

Misioni vëzhgues i OSBE dhe Parlamentit Europian, që monitoruan zgjedhjet, kritikuan ‘keqpërdorimin e burimeve publike, mungesën e ndarjes së funksioneve zyrtare dhe aktiviteteve të fushatës, dhe frikësimin dhe presionin ndaj votuesve, duke përfshirë rastet e blerjes së votave’. Zemërim të veçantë shkaktoi fakti që njerëzit nga shteti fqinj i Bosnjës u transportuan në Beograd për të votuar atje, edhe pse nuk jetojnë në Beograd.

Misioni i pavarur i vëzhguesve, CRTA vuri në dukje se kishte dyshime të arsyeshme se migrimi i organizuar i votuesve kishte ndodhur në një masë të tillë, që kishte një ndikim përfundimtar në rezultatin e zgjedhjeve. Miodrag Jovanociç, profesor në Fakultetin Juridik në Beograd, kritikoi heshtjen e institucioneve ndaj ‘manovrave dhe vjedhjeve të qarta dhe të vërtetuara elektorale’. Nisma ‘Për votën’ paralajmëroi një protestë të madhe për datën 30 dhjetor në mesditë.

SHBA kritikon demonstruesit

Vitet e fundit ka pasur protesta masive të përsëritura kundër regjimit autoritar të Vuçiçit, por opozitarët marrin pak mbështetje nga Perëndimi. Shumica e shteteve të BE nuk kanë interes për demokratizimin e Serbisë dhe nuk shohin alternativë ndaj regjimit të Vuçiçit. Regjimi mbështetet në mënyrë aktive edhe nga qeveria hungareze, me të cilën është aleate. Qeveria amerikane është gjithashtu e vendosur pas Vuçiçit, ndër të tjera sepse Serbia po furnizon me armë Ukrainën përmes rrugëve indirekte.

Për shembull, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha për demonstratat se ‘dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore nuk kanë vend në një shoqëri demokratike’. Ndryshe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, që kërkuan një hetim për parregullsitë zgjedhore, Hill në mënyrë indirekte argumentoi për njohjen e rezultateve zgjedhore: ‘Legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe vullneti i të gjitha palëve- qofshin ato fituese apo humbëse- për të respektuar vullnetin e popullit, siç u shpreh në kutinë e votimit’.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme