“Deri kur do na gënjesh o Izet Mexhiti”, revoltohen shitësit e Bit Pazarit (VIDEO)

Projekti për modernizimin e Bit Pazarit i promovuar qysh në gjysmën e parë të muajit mars të vitit 2013 ka mbet vetëm një projekt në letër si shumica e projekteve të promovuara nga funksionarët e BDI-së, raporton SHENJA.

Më 12 mars të vitit 2013, pak ditë para zgjedhjeve lokale të të njëjtit vit kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti shpalosi projektin  tre dimensional për modernizimin e Bit Pazarit, duke fituar kështu mandatin e tretë në këtë komunë.

 “Kemi marrë parasysh gjitha faktorët, gjitha elementet që ta ruajmë Bit Pazarin dhe të krijojmë kushte modern, kushte me standarde që do të jetë më mirë për vetë tezgaxhinjtë, pë rata që e frekuentojnë Bit Pazarin dhe poashtu që arkitektura e projektit të ri të përshtatet Çarshisë së vjetër”, kishte deklaruar më 12.03.2013 kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Projekti për modernizimin e Bit Pazarit, jo vetëm që nuk nisi pas tre muajve, siç deklaroi Mexhiti, por as pas 46 muajve.

Ja si duken tezgat e Bit Pazarit katër vjet pas promovimit të projektit.

Premtimet vazhduan sërish. Një vit më vonë më 11 janar të vitit 2014, kreu I Komunës së Çairit sërish me premtime, për të njëjtin projekt.

“Në përfundim janë procedurat për sjelljen e planit detal urbanistik, pak është vonuar përshkak se u sjellë plani i ri gjeneral urbanistik, që nënkupton se duhet të sjellen plane të reja.

Mendoj që nëse përfundojmë me procedurën së shpejti, diku nga prilli apo maji, mund të jetë edhe fillimi i punimeve”, pati deklaruar më 11.01.2014, Izet Mexhiti.

Megjithatë sërish vetëm fjalë boshe dhe asgjë më shumë.  Shitësit në tezgat e Bit Pazarit thonë se nuk kanë më besim në premtimet e kryetarit Izet Mexhiti.

“Shpresa nuk kemi më, e kemi humbur besimin, njeriu njëherë të rren, dy, për së treti më është shumë. Para tri viteve, katër dy herë kemi mbajtur mbledhje me kryetarin e komunës Izetin, shoqata e pazarxhinjëve dhe më patë thënë se së shpejti do të ndërtohet. Ato janë vetëm fjalë, po ai e ka shkel at fjalën e vet që e ka thënë dhe deri sot nuk është bërë asgjë”, ka thënë një qytetar.

“Nuk jemi duke dal të punojmë nga i ftohti, dëme kemi shumë, gjithë mallin që e kemi pasë është ngrirë. Masa nuk merr askush…. Këtu edhe  me qenë treg për kafshë nuk meriton se ato kanë shpirt, e lëre më për njerëzit, po ka humb çdo ndjenjë njerëzore. Me gënjy nuk është në rregull, njëherë falet disi, ama çdoherë jo”, tha një qytetar.

“Kemi pasur premtime edhe prej kryetarit të Komunës, mirëpo ato premtime gjithmonë sikur edhe jemi mësuar tashmë ngelen vetëm premtime. Bit Pazari është një prej tregjeve  më të mëdha në Ballkan, mirëpo me kushte më të mjerueshme se në çdo vend. Nuk ka kushte as për stinën e verës, as për stinën e dimrit…shumë tezga nuk janë të hapura se ftohtë shumë, malli ngrihet edhe shitësi nuk ka llogari të del ta hapë tezgën e vet”, tha një qytetar.

Shitësit thonë se në tregun e Bit Pazarit kushtet janë tepër të këqija, ndërsa malli I tyre për shkak të ftohtit është dëmtuar.

Ftohtë, punojmë, mezi se përbalojmë…Kujt me i kërku, s’ka shtet, çka me kërku. Pranon, do të rregullohet thotë dhe të harron”, deklaroi një shitës.

“Ftohti madh, na është ngrirë i gjithë malli, dy javë ditë jemi pa punë…ky mall hudhet i gjithi”, u ankua një shitës tjetër.

“Është ngrirë, gjithçka që është sjellur është ngrirë. Ja e kam ushqimin nën tezgë, nuk mund ta nxjerrë, sepse nëse e nxjerrë ajo do të ngrihet dhe pastaj nuk e blen askush. Nëse ngrihet ajo më duhet të hudhet”, tha një shitës tjetër.

Projekti I promovuar vite më parë parashikonte mobilizimin e tregut dhe zhvendosjen e shitësve nga rruga në treg, në një hapësirë dy katërshe prej 8 mijë metra katror, ku mbi tregun ishin parashikuar vende parkimi. Pas katër viteve prej këtij projekti nuk ka asgjë, përveç, rrenave,  siç thonë shitësit.

/SHENJA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme