“Deri më 29 shtator targat e të gjitha automjeteve zyrtare duhet të jenë me ngjyrë”

Gazetar: Mihajllo Donev

Deri më 29 shtator, saktësisht deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, të gjitha automjetet në pronësi shtetërore do të duhet t’i zëvendësojnë targat e tyre me targa të posaçme me ngjyrë, me qëllim që të parandalohet keqpërdorimi për qëllime partiake dhe private. Këtë e bëri të ditur drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, Ivica Tomovski. Ai theksoi se bëhet fjalë për rreth 7.000 deri 7.500 automjete shtetërore. U bëri thirrje ministrive që sa më shpejt ta përmbushin këtë obligim.

“Nëse as këtë nuk e bëjnë, do të bëjmë thirrje për herë të tretë që të brendohen, me qëllim që deri më 29 shtator, pra deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, të gjitha automjetet zyrtare dhe automjetet në pronësi të shtetit të jenë të ndërruara. Dua edhe një herë të theksoj se edhe nëse ndokush tenton ta shmangë këtë dhe të mos i ndërrojnë ato automjete, kur t’i vijë data e regjistrimit, patjetër do t’i marrë këto targa”, tha Ivica Tomovski, drejtor i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë.

Nuk janë paraparë gjoba për ministritë që do ta humbasin afatin për ndërrimin e targave deri më 29 shtator. Ndërkohë, kushdo që deri tani ka keqpërdorur automjetin zyrtar për qëllime private ose partiake, do të ndëshkohet në mënyrë përkatëse, njoftoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike.

“Te ne, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, çdo keqpërdorim që është paraqitur në institucionin tonë, trajtohet nga sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale, respektivisht departament që është kompetent dhe çdo rast i paraqitur hetohet. Çdo person që ka bërë çfarëdo lloj keqpërdorimi me mjete materialo-teknike ose me praninë e tij fizike nëpër zyra politike e kështu me radhë, do të nxirret aty ku i takon, pra do të përballet me sanksione përkatëse”, u shpreh Aleksandar Janev, drejtor i Byrosë për Siguri Publike.

Vendimi për targat u mor në seancën qeveritare më 29 korrik, ndërsa institucionet e para automjetet e të cilave tashmë u brenduan janë Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Zona Teknologjike- Zhvillimore- Industriale, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe Drejtoria e Doganave. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme