Deri në 40 mijë lekë, sa do jetë shtesa mbi pagë për kushte të veçanta pune për FA-të! Zbardhet vendimi, nga Forcat Speciale e Komandot te Policia Ushtarake, ja 8 kategoritë që përfitojnë

Rritja e premtuar e pagave për efektivët e Forcave të Armatosura nuk përkthehet në rritje të mirëfilltë, por trajtim i veçantë për shkak të kushteve të veçanta të punës, çka duhet të cilësohej si trajtim për dëmshmëri në punë dhe duhet nënvizuar, nuk përfitojnë të gjithë efektivët.


Ishte vetë ministri Pirro Vengu, që e cilësoi këtë si “shtesë për kushte të veçanta pune”, ku përfshihen sektorë që rrezikojnë në një farë mënyrë shëndetin e tyre gjatë punës. Të tilla si oficerët që merren me asgjësimin e mjeteve shpërthyese, efektivët e kërkim-shpëtimit, ata të mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë, komandot e Zall-Herrit dhe Forcat Speciale që kryejnë stërvitje sfilitëse çdo ditë, mjekët e infermierët dhe çuditërisht në këtë grup janë futur edhe efektivët e Policisë Ushtarake.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, numërohen mbi gjashtë mijë efektivë që përfitojnë shtesë të konsiderueshme mbi pagë, nga 18 mijë deri në 40 mijë lekë në muaj.

Sakaq, pritet që ditët në vijim të publikojnë edhe shifrat për kategori të tjera që përfitojnë rritje deri në 100 mijë lekë në muaj. Vendimi në fjalë nuk është zbardhur ende në Fletoren Zyrtare për të konkretizuar periudhën kur hyn në fuqi rritja e pagave.

MINISTRI

Ministri Pirro Vengu bëri publik vendimin e vulosur, ku qeveria shqiptare i dha dritën jeshile propozimit të tij për përmirësimin mënyrë të ndjeshme të trajtimit financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Për të parin e ministrisë, ky vendim vjen në unison me kërkesën e shtuar për kapital njerëzor brenda Forcave të Armatosura. Tanimë ka një arsye më shumë për të rinjtë që duan t’i afrohen këtij sektori.

“Ky vendim konfirmon se kapitali njerëzor mbetet prioritet kryesor për ushtarakë të mirëpaguar, të mirëpajisur dhe të mirëtrajnuar, ndërsa rrit ndjeshëm jo vetëm cilësinë e kapitalit, por edhe të shërbimeve të mbrojtjes civile. Objektivi i Ministrisë së Mbrojtjes është që rekrutët e rinj e veçanërisht profesionistët e fushave të ndryshme të jenë konkurrues në tregun e sotëm”.

Nga ky projektvendim preken rreth 6 mijë efektivë, 2500 prej të cilëve e përfitojnë për herë të parë një shtesë të tillë. Kështu, trajtim të shtuar financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si; Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, Njësia Cyber, Dronët, Forcat e Dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera. Përmes kësaj rritjeje page, Ministria e Mbrojtjes shpreson që të rritet jo vetëm motivimi i efektivëve aktualë, por të shërbejë edhe si një nxitje për rekrutim, për të gjithë të rinjtë për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

RRITJA PER KATEGORI

“Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi do të variojë deri në 100,000 lekë mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë. Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20,000 lekë në muaj për rreth 150 ushtarakë. Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70,000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë”, ka bërë me dije ministri Vengu duke shprehur në fund falënderimet e tij për të gjithë skuadrën e përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave, që ka punuar prej disa muajsh për këtë vendim të marrë një ditë më parë ‘duke dëshmuar më së miri se, kur vjen puna për kapacitete kombëtare, siç janë FARSH, rritja e trajtimit financiar nuk është një shpenzim, por një investim i mirëfilltë’.

Vendimi u propozua nga ministri i Mbrojtjes dhe vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.

RRITJA E PAGAVE

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme