“Deri në ditën e fundit të jetës dua të jem në skenë” ishte amaneti i aktorit dhe regjisorit, tanimë të ndjerë Sefedin Nuredini, i cili mbrëmë ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare. Këtë amanet e përcolli njëri ndër studentët e tij të parë, Adem Karaga, i cili në tubimin përkujtimorë tha se “Sefa” u shua, por me veprat e tij do të mbetet gjithmonë mes nesh. Drejtori i Teatrit kombëtar shqiptar, i përlotur tha se i ka rënë hise të mbaj fjalimin e lamtumirës së fundit të Nuredinit, pikërisht në skenë aty ku i ndjeri kaloi më shumë se 50 vjet të karrierës së tij.
“Me gjithë ato fotografi në sirtarin e vet që teatri ka, në përzgjodhëm këtë fotografi për të kujtuar të buzëqeshur, ashtu siç ishe. Solle në skenë “Zjarrin e Promethet”, bëre role që neve do të na kujtohen. Ishe “Hamleti” e “Çobani” gjithçka dhe në fund, me shfaqjen e fundit ishe babai më i mirë në botë”, u shpreh Karaga.
Aktori Bajrush Mjaku, thotë se kolegu i tij i ndjerë ishte nismëtar i artit të shtatë, dhe shuarja e tij ka lënë një boshllëk në skenën dhe në ekranet e kinematografisë mbarë shqiptare. Ai përcjell vargjet e aktorit Çun Lajçit, i cili me dhimbje për vdekjen e hershme në vend të ngushëllimit kishte shkruar një poezi.
“Pse kjo nguti artistësh drejtë lojës së fundit? Pse ky vrap, mjegullnajave e ulërimave? Kur ky shpirt i duhet edhe marsit e majit, ç’është ky dorëzim shpirtrash të brishtë, janareve të ftohta, e netëve të gjata e pafund”, u shpreh Mjaku.
Në prani të familjarëve, kolegëve e miqve u lexuan edhe telegram e shumtë ngushëllimesh, që nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë e deri tek Teatri shqiptar i Nju Jorkut. Ndër 90 rolet sa kishte në karrierën e tij, shumica prej tyre ishin role kryesore, që Sefedin Nuredini i luajti me mjeshtëri nga dramaturgjia kombëtare dhe ajo botërore.Ai ishte edhe bashkëthemelues i Fakultetit të Artit Dramatik të Universitetit të Tetovës, por edhe fitues i shumë çmimeve nëpër festivalet e ndryshme të teatrit dhe të filmit