Gazetare: Ajnur Bafqari
Autoritetet po bëjnë përgatitjet e fundit për zbatimin e plotë të sistemit “Safe City” nga 1 shkurti. Ministria e Brendshme njoftoi se nga nesër e deri në fund të muajit, do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i kamerave të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, ku rrjedhimisht do të ketë kufizime të përkohshme.
“Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00. Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por qytetarët nga ana tjetër, vlerësojnë se nevojitet më shumë kohë për adaptim. Ata kërkojnë shtyrje të zbatimit madje deri në një vit.
“Duhet… Edhe shumë gjatë, më së paku 1 vit”, tha një qytetar.
“Personalisht, e para privatësia e njerëzve shkelet, sipas ligjeve, domethënë, duhet kohë, duhet të adaptohet, duhet metoda ekstra për ato gjëra, se jam vet shofer jashtë vendit, personalisht mendoj se nuk përputhet aspak, vetëm në dëm të njerëzve shkon”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Le të kalojë edhe pak kohë, menjëherë nuk mund të adaptohen… Nja dy tre muaj le të adaptohen si të mundet…”, theksoi një qytetar.
“Do të duhej po, sepse është e rëndësishme të mbrohemi edhe ne si këmbësorë…Duhet kohë, normalisht se duhet kohë të përshtaten edhe këmbësorët edhe shoferët..tre muaj do të duhej për shembull”, deklaroi një qytetar.
“Një muaj, mendoj”, u përgjigj një qytetar tjetër.
“Bulevardet duhet të jenë siç ishin në vitin 2012, 60 plus 5 dhe gjithçka do të jetë në rregull…Nëse e bëjnë kështu, nuk nevojitet kohë, të gjithë shoferët do të përshtaten”, u shpreh një qytetar.
Aktualisht sistemi i kamerave inteligjente funksionon si test, pra qytetarët tashmë marrin porosi sms me shkeljet që i detekton sistemi, por nga 1 shkurti autoritetet planifikojnë me nisjen e plotë, përkatësisht shqiptimin e gjobave. Megjithatë që të nis zbatimi, duhet të miratohen ndryshimet ligjore, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend. /Alsat.mk



