Insajderi ka siguruar procesverbalet e dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur në rastin kundër Azem Sylës dhe 50 të tjerëve. Ai ka rrëfyer për pasurimin e dyshimtë të Sylës, më 2006. Insajderi sjell rrëfimin e dëshmitarit që pohon se Azem Syla bleu banesë në vlerë prej 155 mijë eurove në Pejton, në vitin 2006. Po ashtu, bleu një Mercedes në vlerë prej 40 mijë eurosh. Asnjërën pasuri nuk e regjistroi në emër të tij, pohon dëshmitari. Burimi i të ardhurave ishin veprimet e dyshuara kriminale në Llapnasellë.
Para dhjetë vitesh, gjatë periudhës prill- gusht të vitit 2006, besohet se i kanë ndodhur dy gjëra shumë të rëndësishme Azem Sylës.
Ai pohon se kishte marrë gradën Doktor i shkencave politike në SHBA, përkatësisht në “Leibniz University”, në New Mexico- Santa Fee.
Vetëm tre muaj pas marrjes së gradës “Doktor shkence”, në verën e vitit 2006, Azem Syla dyshohet se është pasuruar me blerjen e një banese në lagjen Pejton, në Prishtinë. Ishte blerë për 155 mijë euro, raprton Insajderi.
Derisa grada e marrë në universitetin në SHBA i është kontestuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze, Azem Sylës-doktorit të shkencave politike- problem më i madh i ka dal me veprimin e kryer në Prishtinë, blerjen e banesës.
Për këtë është duke u hetuar nga EULEX-i, misioni evropian që dyshon se ish-kreu i UÇK-së ka udhëhequr një grup të strukturuar kriminal.
Insajderi ka siguruar dëshmitë e njërit prej dëshmitarëve të mbrojtur të EULEX-it. Ai ka dëshmuar para prokurorit të EULEX-it në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti.
Ka rrëfyer detajet e pasurimit të dyshimtë të Azem Sylës.
Lidhur me këto dyshime deri më tash janë mbajtur dy seanca të mbyllura gjyqësore. Sipas Tomë Gashit, avokatit të Sylës, pritet të mbahen njëzetë seanca të mundësisë së veçantë hetuese, ku një grup prej tre hetuesish do të marrë në pyetje dëshmitarët e mbrojtur në këtë rast.
Prokuroria pretendon se Syla udhëhoqi grupin prej 51 vetave që po hetohet për krim të organizuar, me tjetërsimin dhe shitblerjen e pronave shoqërore. Avokatët e të pandehurve kanë mohuar pretendimet e EULEX-it, duke i vlerësuar si të pabaza.
Tomë Gashi, avokat i Sylës, ka pohuar se EULEX-i ka arrestuar Sylën për të mbuluar dështimet e veta.
“Dëshmitari i mbrojtur do të vazhdojë me telenovelën e tij të përgatitur nga kush e di se kush, mbrojtja do të ketë vërejtjet e saja dhe gjykata përsëri do t’i refuzojë këto vërejtje dhe prokurori përsëri do t’i bëjë pyetjet dëshmitarit të mbrojtur, të cilat përgjigje ai ‘i dinë” paraprakisht me inteligjencën e tij të mbajtjes në mend të numrave për të cilat dhe Ajnshtajni do ta kishte zili. Komandanti i shtabit të përgjithshëm të UCK,dhe deputeti i në kuvendin e Kosovës a thua ka luftuar për këtë sistem të sundimit të ligjit ku atij i mohohet e drejta për drejtësi?!”, ka pohuar Gashi, më 22 korrik të këtij viti.
Ahengu për nder të Azem Sylës
Dëshmitari ka pohuar para prokurorit të EULEX-it se grupi i dyshuar kriminal, në verën e 2006-ëes, kishte organizuar një aheng për nder të Azem Sylës.
“Kur e kemi blerë këtë banesë ishte Korrik / Gusht në vitin 2006. Ishte blerë ekskluzivisht për Dajën. Shpresim Uka na ka ftuar. Azem Syla dhe Shaban Syla ishin aty gjithashtu. Ne bëmë një aheng të vogël për t’ia uruar atij banesën. Ai tha se ishte në vend të mirë për shkak se ishte afër Hotelit Grand”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur, raporton Insajderi.
Por nga kush u ble kjo banesë?
Shitësi ishte njeri i dyshimtë, ka pohuar dëshmitari i mbrojtur. Sipas tij, A.B nuk ishte pjesë e biznesit të patundshmërive. Dëshmitari ka treguar se shitësi i kësaj banese kishte qenë edhe në burg për shkak se merrej me tregtinë e drogës.
Publikisht, sipas dëshmitarit, A.B ishte një biznesmen që merrej me shitjen e veturave luksoze dhe kishte shtrirë aktivitetin e tij deri në Bullgari.
“Ai kishte një biznes me vetura. Ai blinte vetura luksoze të shtrenjta për t’i shitur, pastaj ai merrte një tjetër. Ishte një grup por nuk kishte asgjë të përbashkët me grupin tonë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it.
Dëshmitari ka rrëfyer edhe për kërkesat e Azem Sylës dhe detajet e banesës në Pejton.
Ka thënë se Syla kërkonte që të kishte një vend të sigurt për veturën e tij. Grupi, sipas tij, u morr vesh që ai ta ketë parkingun e tij në garazhin e ndërtesës, ku gjendet banesa e blerë nga biznesmeni që dyshohet se është mbajtur në burg për shkak të tregtisë me drogë.
Prokurori e ka pyetur dëshmitarin se a e ka takuar ndonjëherë Azem Sylën në këtë banesë.
“Po”, i është përgjigjur dëshmitari dhe ka përshkruar vendndodhjen e banesës.
“Është në katin e dytë apo të tretë unë nuk jam i sigurt. Nga banesa mund të shihet Hoteli Grand nga dritarja në anën e majtë. Ka disa persona të famshëm që jetojnë aty. Sipër shkallëve, është një kthesë në të djathtë dhe pastaj në të majtë është banesa. E ka një derë të rëndë. Është e madhe 183 metra katror. Grupi pagoi 155 mijë euro kur e ble në vitin 2006. A. B ishte shitësi; Shaban Syla ishte blerësi formal. Ambasada Britanike ishte në anën tjetër, ose banesa e ambasadorit apo zyrë ndërlidhëse për Mbretërinë e Bashkuar me sa e di unë, e njëjta rrugë. Jo tamam përballet saj”, ka theksuar dëshmitari.
Në këtë banesë aktualisht jeton familja e Arton Vilës, shoferit të Azem Sylës, i cili ndodhet në paraburgim së bashku me shefin e tij.
Llapnasella-Burimi i të ardhurave të dyshimta
Por si u siguruan paratë për blerjen e kësaj banese?
Sipas dëshmitarit burimi i të ardhurave ishte Llapnasella. Konkretisht 83 vjeçarja Ljubica Simiç.
Shaban Syla, sipas dëshmitarit, kishte arritur të merrte autorizimin nga gruaja që jetonte në Nish të Serbisë. Grupi i dyshuar kriminal më pas kishte korruptuar zyrtarë të gjykatave dhe kadastrit për të regjistruar tokat fillimisht në emër të familjes Simiç e më pas në emër të Arton Vilës.
“Kah fundi i Qershorit 2006 ne veç kishim kompletuar marrëveshjet për këto parcela. Dëshiroj t`i referohem këtyre tri parcelave më saktësisht dhe ndryshimeve financiare në situatën e Shaban Sylës dhe Azem Sylës. Pasi ishin bërë marrëveshjet për tri parcelat , në Korrik dhe Gusht 2006, Azem Syla bleu një banesë për 155,000 euro dhe një Mercedes ML për 40,000 euro”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Sipas tij, Mercedesi ishte regjistruar në emër të Arton Vilës ndërsa banesa në emër të Shabanit.
“Ndërkohë, Shabani po voziste një makinë me vlerë 50,000 euro dhe ky ishte një ndryshim i jashtëm që ishte i dukshëm për të gjithë ne gjatë periudhës Korrik dhe Gusht 2006. Azemi veç kishte një makinë të vlefshme 10,000 euro, një Nissan Terrano, para kësaj. Ai ma shiti mua dhe bleu një Mercedes. Makina e Shabanit ishte një BMW jeep X5 në emër të tij”, ka pohuar dëshmitari.
Dëshmitari pohoi se Shpresim Uka dhe Shaban Syla kishin mbajtur kontaktet me familjen serbe për t’i bindur për të dhënë autorizimet e nevojshme.
Ishte kontaktuar Kruna Blagojeviç, vajza e Ljubica Simiç. Toka në Llapnaselë prej katër hektarëve, sipas dëshmitarit, ishte shitur më pas për miliona euro.
Pronat e serbëve ishin nacionalizuar pas luftës së dytë botërore. Në vitet e 90-ta ishte marrë vendim që t’iu ktheheshin pronarëve serb. Vendimet e kohës së Millosheviqit pas luftës nuk njiheshin nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës. Tokat figuronin si prona shoqërore.
Por, grupi funksiononte kështu: Shaban Syla autorizohej nga serbët për të ngritur padi në gjyq për njohjen e pronësisë. Hapi i dytë ishte korruptimi i zyrtarëve të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe drejtorëve të ndërmarrjeve shoqërore për të mos deponuar në gjyq pretendime se toka ishte në pronësi shoqërore. Në fund gjyqi vendoste se toka është në pronësi të familjeve serbe.
Shitja e një toke në pronësi të një serbi ishte e vështirë. Biznesmenët shqiptarë hezitonin të blinin këto prona për shkak te telasheve ligjore që mund të dilnin. Grupi përkujdesej që formalisht të kalonte pronat në emër të Arton Vilës dhe më pas të shiteshin tek biznesmenët shqiptarë.
Azem Syla, sipas dëshmitarit, kishte urdhëruar që të gjitha tokat të regjistroheshin formalisht në emër të shoferit të tij, Arton Vilës.
Dëshmitari pohon se Vila nuk kishte komentuar kur Syla kishte dhënë urdhrin. Grupi, më pas, përkujdesej që tek blerësit potencial ta paraqiste Vilën si një pasanik që ka toka dhe para, për shkak të të ardhurave nga vëllezërit në diasporë.