Emri i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe emri i ish-deputetit të PDK-së, Nait Hasani janë lakuar, të hënën, në gjykimin kundër zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, si dhe djalit të tij, Adrian Bajrami, të cilët po përballen me drejtësinë për korrupsion.
Elsadat Musliji ka rrëfyer para Gjykatës Themelore të Prishtinës rrethanat dhe bisedat që i ka pasur me të akuzuarit që nga viti 2012, kur i kanë kërkuar dy herë nga 10 mijë euro për lirimin e tij nga burgu, shkruan sot Koha Ditore.
Ka thënë se ata i kanë premtuar se do të ndikojnë te “njeriu i madh” , duke iu referuar Enver Hasanit.
Bazuar në aktakuzë, Zahir Bajrami përmes djalit të tij Adrian Bajramit, më 9 shkurt të vitit 2017, ia ka marrë 10 mijë euro të dëmtuarit Musliji, duke i premtuar se do të ndikojë për t`ia hequr dënimin me burg në Gjykatë të Apelit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)