E shtune, 29 Tetor 2016 – Sakte.net
Të dhënat, shkrimet cirilike sllave mesjetare dhe bashkëkohore serbe lidhen në rend të parë me historinë dhe zhvillimin e religjionit te popullata në trevën e Rasit-Rashkës (treva e Sanxhakut të Novi-Pazarit të sotëm) dhe trevave të tjera përreth që sot gjenden nën Serbi, trevën e Zetës (Malit të Zi), si dhe në rastin tonë, edhe për Dardaninë, territorin e sotëm të Kosovës.
Ato dëshmojnë se në Dardaninë mesjetare, në territorin e sotëm të Kosovës, përveç zhvillimit të jetës religjioze – besimit të krishterë nga populli, vendi karakterizohej për nga zhvillimi, ndërtimi i shumë monumenteve religjioze – si kisha e manastire që datojnë nga periudha e krishterimit të hershëm (shek. IV-VI) duke vazhduar edhe gjatë gjithë mesjetës e në vijim. Po ashtu, dëshmohet se të gjitha monumentet – kishat dhe manastiret e vjetra të vendit, të cilat do t’i paraqesim në vazhdim të punimit me emra – ekzistonin që para pushtimit/okupimit të tij nga sundimtarët e Rasit – Rashkës, shkruan Enver Rexha për Kohën Ditore në pjesën e parë të serisë “Historia e Kishës dhe e monumenteve kishtare ortodokse në Kosovë nga shekulli XIV deri në shekullit XX”.
Rasia – Rashka pasi e okupoi territorin e sotëm të Kosovës, gjatë viteve 1282-83, vendosi edhe pushtetin politiko-administrativ dhe atë fetar në tërë vendin. Monumentet e kultit, kishat dhe manastiret e vjetra të vendit u përvetësuan nga ky pushtet duke i adaptuar dhe rindërtuar në shekullin XIV. Po ashtu, edhe gjatë shekujve XV-XX do të kemi të dhëna të cilat do të flasin për jetën, zhvillimin, si dhe ndërtimin e kishave në territorin e Kosovës.