Dëshmon Ferid Agani, pyetet se çfarë lidhje kishte me fituesin e tenderit për shkatërrimin e barnave

Sakte.net  /  E premte, 14 Tetor 2016  –   17:08

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dëshmoi në procesin gjyqësor kundër Ilir Tolajt dhe zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, bashkë me Bekim Fushën, Zenel Kuqin, Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tolaj sipas prokurorisë keqpërdorimin e kreu, pasi duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Tenderin “Klasifikimi dhe Shkatërrimi i Barnave me Afat të Skaduar” ia mundësoi kompanisë “KMI” sh.p.k të drejtuar nga Arion Lleshi e Shpend Agani përfitimin material duke dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për 400 mijë euro.

Në kohën kur kompanisë “KMI” sh.p.k iu mundësua ky përfitim, ministër i Shëndetësisë ishte Ferid Agani.

Ish-ministri u pyet nga prokurori se çfarë lidhjesh familjare kishte me Shpend Aganin, njërin nga fituesit e tenderit për shkatërrimin e barnave.

“Kjo është publike tani. Babai im me babanë e Shpendit janë djem të axhës”, tha Agani.

Prokurori e pyeti ish-ministrin se a e dinte sasinë e saktë të barnave me afat të skaduar që duhej të shkatërroheshin.

“Nuk kam gjetur dokument me sasi të saktë, por vetëm vlerësime të përafërta”, tha Agani.

Agani deklaroi se përgjegjës kryesor për menaxhimin e shkatërrimit të barnave ishte sekretari i përgjithshëm.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

Tolaj u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave në seancën e 27 shkurtit. /kallxo.com/