Gazetar: Avni Tahiri
Edhe pse dje dështoi tentativa për mbylljen e vendkalimit ilegal në BitPazar, nga Qyteti i Shkupit mbeten në qëndrimin se ai vendkalim do të mbyllet. Nga atje nuk sqarojnë se çfarë konkretisht u morën vesh me tregtarët të cilët dje bllokuan rrugën dhe penguan mbylljen e vendkalimit.
“Duke pasur parasysh faktin se para dhe pas këtij lokacioni ka vendkalime të rregullta për këmbësorë, dhe në afërsi të menjëhershme ndodhet edhe një mbikalim për këmbësorë, i cili nga inxhinierët e komunikacionit është kategorizuar si kalimi me sigurinë më të lartë për këmbësorët, konsiderojmë se kalimi ilegal nuk duhet të ekzistojë, me qëllim që të mos ndodhin tragjedi më të mëdha në të ardhmen.” thanë nga Qytetit i Shkupit.
Ndërkohë, dje dështoi tentativa për mbylljen e vendkalimit ilegal në BitPazar për shkak të tregtarëve të cilët kundërshtuan mbylljen pasi thanë se kjo do ti dëmtonte bizneset e tyre.
Pasi u larguan shufrat e hekurta të cilat më parë ishin vendosur, tregtarët deklaruan se nga e hëna do të kenë takim me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjoergjievski, për të kërkuar alternativë tjetër dhe jo mbylljen e këtij vendkalimi. Për shkak të këtij vendkalimi ilegal në BitPazar, krijohen kolona të gjata dhe rrëmujë. Deri tani ka pasur edhe mbi dhjetë aksidente rrugore disa me pasoja fatale./ Alsat.mk



