Dështon gjykimi ndaj tre të akuzuarve për keqpërdorim pozite dhe ushtrim ndikimi

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të enjten kundër rreshterit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, në Policinë e Kosovës, Behar Millakut, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit akuzohen edhe Shefqet Zogaj dhe Ilir Sadrijaj.

Shkak i shtyrjes së kësaj seance, ka qenë mungesa e tre të akuzuarve.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica tha se i akuzuari Shefqet Zogaj nuk e kishte pranuar ftesën nga ana e gjykatës, ndërsa të akuzuarit Behar Millaku dhe Ilir Sadrijaj edhe pse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, të njëjtit nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 1 mars 2018, në ora 9:30.

Ndryshe, i akuzuari Behar Millaku, është nipi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me qëllim që vetit dhe personit zyrtar Behar Millakut t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm, kanë kërkuar para nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit “EGTK II SHPK”, Skender Fetaj, në mënyrë që i akuzuari Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili ishte duke hetuar rastin e kësaj kompanie, të krijojë lehtësira gjatë hetimit, për t’ia hapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia dhe për t’i mbyllur hetimet e fituara ndaj tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj, kishte siguruar informata për rrjedhjen e hetimeve ndaj Skender Fetaj, dhe të njëjtat ia kishte dërguar të akuzuarit Sadrijaj, në mënyrë që ta bindin të dëmtuarin Fetaj, për t’i dhënë paratë.

Fillimisht, Sadrijaj ka kërkuar nga ish-punëtori i kësaj kompanie Avni Qerimi, që të kërkojë nga i dëmtuari Fetaj shumën prej 4.000 euro, i cili këto para i kishte thënë menaxherit të kësaj kompanie Denis Cocaj, që t’ia dërgonte të akuzuarit Sadrijaj.

Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, këto para Qerimi, ia kishte dhënë të pandehurit Sadrijaj, i cili pas disa ditësh ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhet me i dhënë 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, pastaj edhe shumën prej 300.000 euro, dhe e kishte sugjeruar që ta ndërrojë avokatin në mënyrë që këto para t’i dorëzohen policit Millaku, për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.

Mirëpo, i dëmtuari Fetaj, më 26 janar 2017, ishte koordinuar me policinë, dhe i kishte fotografuar shumën prej 30.000 euro, dhe kur Denis Cocaj, Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijaj në lokalin “Liridoni” në rrugën Pejë –Decan, Kurmehajt shumë prej 30.000 euro ia kishte dhënë në zarf Sadrijajt.

Kështu, sipas aktakuzës, pasi Sadrijaj së bashku me Zogajn i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës kishin bërë ndërrimin e parave, pastaj ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 euro, ndërsa Millaku me veturë të cilën e drejtonte Shaban Ramaj ishin ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rastin e kontrollimit, i kishin sekuestruar shumën prej 2.000 euro, ndërsa Sadrijaj nga ana e policisë në Pejë i janë gjetur 2.200 euro.

Prokuroria të akuzuarin Behar Millaku e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me veprën penale “ushtrim i ndikimit”./Betimiperdrejtesi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme