Komisari i Policimit në komunitet që aksidentoi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia në plazhin e Potamit, Himarë ishte me armë me vete kur ndodhi ngjarja.
Sipas News24 në skafin e komisarit Arjan Tase grupi hetimor ka gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila ka qenë arma e shërbimit të Arjan Tases, i cili edhe pse ishte pushim e mbante armën me vete.
Ndërkohë në një njoftim Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se ka arrestuar Arjan Tasen, duke e fajësuar atë, por theksohet se “vrasja ka ndodhur nga pakujdesia”.
Sipas AMP, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, efektivi ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. “Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet”, theksohet në njoftim.
“Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor”, thuhet ne njoftimin e AMP./GSH