Detaje të reja dalin nga arrestimi i Kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili u vendos në pranga mbrëmjen e së mërkurës disa orë pasi doli nga zyra e tij, nën akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij nga agjentët e BKH-së dhe SPAK, mësohet se drejtorit të ARRSH-së iu janë gjetur disa piktura me vlerë mijëra euro, si edhe një shumë e konsiderueshme parash.
Piktura e gjetura janë konsideruar si ryshfet nga SPAK, por Evis Beberi është “hequr” si artist duke pohuar se i kishte bërë vetë ai dhe se nuk ishin blerë.
Gjatë ditës së djeshme (13 mars) u raportua se Evis Berberi mund të kishte dhënë dorëheqje, por Policia e Shtetit ka bërë me dije se ai ka qenë në krye të detyrës, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Ai u vendos në pranga pasi u largua nga ambientet e ARRSH-së, por nuk dihet nëse është ndaluar në banesën e tij apo në ndonjë ambient tjetër.
Evis Berberi është një ndër drejtuesit e afërt të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku.
Ai u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive.



