Mario Milosheviq e ka ndërruar identitetin dhe është bërë “kosovar”, pasi është arratisur nga Mali i Zi. Në pasaportën e tij figuron emri “Mirosllav Kostiq”, një person i lindur në Mitrovicë të veriut dhe me vendbanim të përhershëm në Prishtinë.
Ai, bazuar në shkresën që e posedon “Koha Ditore”, ka mohuar para Gjykatës Themelore të Prishtinës se është personi me emrin Milosheviq. Ka thënë se po e ngatërrojnë. Megjithatë, gjykata e ka përgënjeshtruar atë. Gjurmët e gishtërinjve, sipas saj, vërtetojnë se bëhet fjalë për personin e njëjtë.
Për pasojë, Milosheviqi është dërguar të premten në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji. Në paraburgim janë dërguar edhe shtetasi tjetër malazias, Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb, Strahinja Dankoviq, si dhe kosovarja, Laureta Zyba.
Të katërtit janë arrestuar tri ditë më parë nga autoritetet kosovare. Ata po dyshohen për dy vepra penale: armëmbajtje pa leje, si dhe për blerje e shitje të narkotikëve.