29 vjeçari Besart Hasani, nga fshati Bibaj i Ferizajt, është vrarë mbrëmë pas një mosmarrëveshje me anëtarët e familjes Ramadani, nga e njëjta komunë. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e këtyre të fundit, në dalje të Ferizajt. Zënka që përfundoi me një të vrarë me plumb të revoles po dyshohet se ka pasur për motiv një dorëzani që viktima u detyrohej të dyshuarave, për shkak të një borxhi për veturë që një palë tjetër nga Prishtina u kishte mbetur atyre. Policia ka arrestuar deri më tani katër persona për këtë rast, tre prej tyre për rrahje, ndërsa i katërti si i dyshuar kryesor për vrasje.
Një sherr verbal që nisi mes pronarëve të kafenesë “Aniki”, në rrugën “Reçaku” në Ferizaj, me Besart Hasanin, përfundoi me vrasjen e këtij të fundit përballë lokalit që ndodhet në nisje të magjistrales Ferizaj-Prishtinë.
29 vjeçari Hasani, si dorëzan, kishte shkuar bashkë me një person tjetër nga Prishtina, D. Krasniqi, në kafiterinë e dorasëve për t’u marrë vesh për kryerjen e një borxhi për një veturë që prishtinasi e kishte blerë nga anëtarët e familjes Ramadani.
Por, situata u tensionua brenda kafenesë, dhe Hasani u akuza se po mashtronte huadhënësit, në dëm të tyre. Shkuan aq larg, sa fjalosja eskaloi në dajak jashtë lokalit që ngjitur ka edhe auto-sallonin me të njëjtin emër, që është në pronësi të të njëjtit pronar. Për një moment, A. Ramadani po dyshohet se nxori revolen të cilën e kishte me vete dhe qëlloi për vdekje të riun nga fshati Bibaj i Ferizajt, shkruan Gazeta Express.
Personi tjetër, borxhliu nga Prishtina D. Krasniqi mbeti i lënduar lehtë nga rrahja që pësoi. Derisa, i dyshuari kryesor fillimisht u arratis nga vendi i ngjarjes, për tu kapur të enjten në mesditë nga Policia.
“Pas një pune operative, sot rreth orës 11:50, Hetuesit e Sektorit rajonal të hetimeve kanë arrestuar personin A.R (m/sh/K 31 vjeç) i dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë, ku kishte humbur jetën viktima B.H.”, ka njoftuar Policia e Ferizajt.
“Gjatë arrestimit, tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë M-57 kalibër 7,62mm, me një karikator dhe katër fishekë, me të cilën armë dyshohet se është kryer vepra”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë, policia të mërkurën mbrëma, pas vrasjes që ndodhi rreth orës 18:20, në vend të ngjarjes kishte arrestuar katër të dyshuar tjerë A. Ramadani, F. Ramadani, A. Ramadani dhe F. Ramadani, të gjithë familjarë të të dyshuarit kryesorë për vrasje A. Ramadani.
Tre prej të arrestuarve mbrëmë janë ndalur nga polica, për përfshirje në rrahjen e dy personave që rezultoi me vrasje të njërit prej tyre, derisa i katërti është liruar.
Me rastin është duke u marrë Prokuroria Themelore e Ferizajt, kryeprokurori i së cilës, Shukri Jashari konfirmoi për Gazetën Express se katër të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.
Gazeta Express, nga burime brenda autoriteteve të sigurisë në Ferizaj merr vesh se viktima ka qenë i njohur për Policinë dhe Prokurorinë. Ai, siç mëson gazeta, kishte pasur disa raste të hapura në Polici për rrahje dhe incidente tjera të huliganizmit.
Trupi i Besart Hasanit mbrëmë është dërguar për obduksion në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, derisa të enjten gjatë ditës i është kthyer për varrosje familjes.