DEUTSCHE WELLE: LUFTË TË MUNDSHME NË MES DY SHTETEVE TË MËDHA

Që prej shekujsh midis Londrës dhe Madridit ka grindje për një zonë të vogël në kepin jugor të Gadishullit Iberik. Para negociatave të Brexitit, konflikti për Gjibraltarin kërcënon të shkallëzohet.

Vetëm pak ditë pas kërkesës së Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian është ndezur një konflikt për të ardhmen e Gjibraltarit. Zona ekstraterritoriale britanike në jug të Spanjës ka mbështetjen e plotë të Londrës, tha kryeministrja Theresa May duke i dhënë mbështetje demonstrative enklavës. Londra synon që të arrijë “rezultatin më të mirë të mundshëm” në negociatat e Brexitit së bashku me Gjibraltarin, tha May në një telefonatë me kryeministrin e enklavës, Fabián Picardo.

Njëkohësisht ajo i kërkoi Spanjës që të përmbahet. Ajo nuk do të lejojë që Gjibraltari të kalojë nën një kontroll tjetër kundër vullnetit të banorëve të tij, theksoi May në lidhje me pretendimet e Madridit për ta kaluar këtë territor nën kontrollin e tij. Picardo u tregua optimist në intervista se Britania e Madhe do të luftojë për Gjibraltarin.

Flitet për një luftë të mundshme

Gadishulli i Gjibraltarit ndodhet në ngushticën detare midis Mesdheut dhe Oqeanit Atlantik. Gjibraltari kaloi me Paqen e Utrechtit të vitit 1713 nga Spanja te Britania e Madhe, por Madridi kërkon rregullisht që t’i kthehet. Deri tani BE i ka amortizuar tensionet midis dy vendeve.

Ish-kryetari i Partisë Konservatore britanike, Michael Howard sipas medieve britanike e konsideron madje të mundur që May të jetë e gatshme për një luftë për ta mbrojtur Gjibraltarin. Emily Thornberry nga Partia Laburiste opozitare e quajti zjarrvënës komentin e tij. Liberal Demokratët e quajtën të pabesueshme, që pak ditë pas deklaratës për të dalë nga BE flitet për një luftë të mundshme.

Mbështetje nga ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson

Në bisedimet e Brexitit, qeveria spanjolle do të ketë një të drejtë vetoje për vendimet për Gjibraltarin. Kjo rezulton nga një projekt i BE për direktivat e negociatave. Në një kohë kur Londra dhe Gjibraltari e kritikuan ashpër propozimin, Madridi u shpreh shumë i kënaqur. Gjibraltari nuk do të jetë as peng politik as viktimë në daljen nga Bashkimi Evropian, i tha Picardo stacionit televiziv britanik Sky News. Direktivat e lejojnë Spanjën “që t’i diskriminojë britanikët në Gjibraltar” dhe që të ndjekë objektivat e veta. Edhe ministri i Jashtëm, Boris Johnson e siguroi përmes twitterit Gjibraltarin për mbështetjen e tij të plotë.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Alfonso Dastis i tha gazetës “El Pais” se vendi i tij nuk synon që ta mbyllë kufirin me Gjibraltarin pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE. “Ne duam që spanjollët që jetojnë jashtë Gjibraltarit dhe punojnë në Gjibraltar të mund ta bëjnë edhe më tej këtë.”

Gjibraltari tërheq me taksa të ulëta

Në projektin për direktivat e negociatave të daljes së Britanisë së Madhe nga BE, të cilin Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ua ka dërguar 27 shteteve anëtare thuhet: “Kur Mbretëria e Bashkuar të jetë larguar nga BE, asnjë marrëveshje e BE me Mbretërinë e Bashkuar nuk duhet të aplikohet në territorin e Gjibraltarit pa dakordim midis Mbretërisë së Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar”. Në 29 prill BE do të zhvillojë një takim të nivelit të lartë për Brexit-in.

Gjibraltari ka 32.000 banorë. Me taksat e ulëta që ka, ai ka tërhequr edhe shumë institute financiare, shoqëri sigurimesh dhe operatorë të lojërave online. Në një referendum në vitin 2002, 99 përqind e banorëve votuan që të qndrojnë në Britaninë e Madhe. Në referendumin e Brexitit, 96 përqind e banorëve votuan kundër ndarjes nga BE.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme