Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt, është punësuar në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga NISMA.
Kryetar i NISMA Socialdemokrate është Fatmir Limaj. Në të njëjtën ministri është angazhuar si këshilltar edhe Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt.
Konsulent për çështje financiare, është pozita për në të cilën Veron Selmani është angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta në mars të vitit 2018 në Agjencinë KISEA. Kjo Agjenci është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Burim Rraci, i cili po ashtu ka qenë pjesë e kësaj partie, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se ai është në kuadër të një Agjencie që i përgjigjet ministrit, dhe se duhet kohë për të marrë informacionet.
“Të hënën kismet, unë, departamenti për komunikim me publikun ua kthen përgjigjet. Ai është te KIESA i punësum, unë duhet me pasë informata, e agjencitë i përgjigjen ministrit”, ka thënë Rreci, i cili në kohën e emërimit si sekretar në MTI është kundërshtuar nga Ambasada Britanike dhe shoqëria civile, meqë vinte nga NISMA dhe nuk kishte treguar rezultate gjatë fazës së rekrutimit.
Gazeta ka pyetur Rrecin se a ka ndikuar Limaj në punësimin e dhëndrit të tij, por nuk ka marrë përgjigje.
Gazeta JnK ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm për koment.
Gazeta ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim në MTI të enjten, por nuk ka marr përgjigje për detajet e kontratës së dhëndrit të Fatmir Limajt.
Gazeta ka kontaktuar edhe ish drejtorin e Agjencisë ku Selmani punon, Besian Mustafën, por i njëjti ka thënë që nuk i kujtohen detaje.
“Nuk më kujtohet saktësisht, më duket ka qenë kontratë mbi vepër, por nuk i mbaj mend detajet”, ka thënë Mustafa.
Po ashtu Gazeta JnK ka kontaktuar edhe UD Drejtorin e KIESA-s, Nol Buzhalën, po ai ka hezituar edhe ta konfirmoj punësimin e Selmanit.
“T’lutem për prononcim për media, përmes zyrës për komunikim me publik. Pyetjet na vijnë më pas neve”, ka thënë ai.
Gazeta i ka sqaruar Buzhalës që pyetjet i kemi dërguar dhe ka kërkuar të na e konfirmoj nëse ka marr pyetjet, por ai thotë se “Jo, nuk m’kanë ardhë. Po m’vjen keq, kuptona. Nuk të përgjigjem direkt [në email], dërgoj në zyre”, tha ai.
Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe vet Veron Selmanin gjatë ditës së djeshme, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve e as mesazheve tona. Ndërsa sot, po ai numër ka thënë që nuk është Selmani, dhe se e kemi kontaktuar gabim.
Gazeta JnK ka dërguar pyetje edhe në email-in e tij zyrtar të cilin e ka në kuadër të MTI-së, por nuk kemi marr përgjigje.
I kontaktuar ka qenë edhe Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt, këshilltar i ministrit të MTI-së në kohën e punësimit të Selmanit.
“Mos m’thirrni për këto punë”, ka qenë përgjigja e tij.
Veron Selmani është burri i Lala Limajt, vajzës së Fatmir Limajt.