Papunësi, varfëri, korrupsion, pozicion i pa favorshëm ndërkombëtar, izolim dhe përpjekje e qytetarëve për të ikur nga vendi.
Këto janë disa nga problemet me të cilat, sipas analistëve dhe deputetëve, është ballafaquar shteti i ri i Kosovës, gjatë këtyre dhjetë viteve pavarësi.
Shefi i Grupit parlamentar të VV-së Glauk Konjufca, thotë se ata që drejtuan Kosovën, për këto dhjetë vite s’kanë me çka të mburren. Ai thekson se kemi të bëjmë me një shtet, të cilin duan ta braktisin qytetarin e vet.
“E tërë me çka mund të mburremi, atë që na e kanë lënë ata, që kanë sakrifikuar dhe nuk janë më të gjallë. Po nëse po flisni për të gjallët, sidomos ata që kanë ushtruar përgjegjësi publike dhe kanë drejtuar Kosovën këto dhjetë vitet e fundit, unë nuk shoh diçka për tu mburrur. Sepse nëse e shihni për shembull sundimin e ligjit. Nëse e shihni nivelin e korrupsionit. Nëse e shihni papërgjegjshmërinë e zyrtarëve publik. Sidomos atyre të nivelit më të lartë, se si e drejtojnë Kosovën dhe nëse e shihni varfërinë, papunësinë në Kosovë. Nivelin e zhvillimit ekonomik, atëherë e kuptoni shumë qartë, kemi dhe shumë vite përpara punë të mundimshme, për ta sjellë Kosovën aty ku duhet. Dhe për ta bërë Kosovën një shtet, në të cilin qytetarët jo vetëm që mburren, por një shtet të jetueshëm, ku qytetarët shohin një perspektivë të sigurt të jetës së tyre këtu. E jo siç po ndodh tash ku një masë e madhe e rinisë së Kosovës, të vetmin qëllim që e ka është që të ik dhe ta braktis shtetin e tyre. Pra kur kemi të bëjmë me një shtet, të cilin duan ta braktisin qytetarët e vet, nuk mendoj që është një shtet i cili mund të mburret shumë me të arritura kushedi kulmore, apo çfarëdo qofshin ato”, tha Konjufca.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi pohon se për këto dhjetë vite janë shënuar të arritura, edhe pse jo aq sa ka qenë e mundur dhe është dashur të bëhet.
Sherifi thotë se Kosova ka mundur të bëjë më shumë gjatë këtyre viteve, në qoftë se interesi i shtetit, do të vihej para interesave partiake apo personale. Thotë se ka lëvizje përpara në të gjitha drejtimet, por nuk ka lëvizje të mjaftueshme, duke pasur parasysh një periudhë kaq të gjatë kohore siç është një dhjetë vjeçar.
“Natyrisht që për dhjetë të ekzistencës së shtetit të Kosovës, ka arritje. Çështja është a kemi arritur aty ku kemi mundur të arrijmë. Sigurisht që jo. A i kemi realizuar të gjitha pritjet, për të cilat qytetarët e Kosovës, për të cilat institucionet e Kosovës kanë qenë të angazhuara. Çështja shtrohet a kemi mundur të bëjmë më shumë dhe pse nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Ndërsa a ka pasur arritje apo nuk ka pasur, natyrisht që ka pasur. Unë e konsideroj, së paku unë si një deputet, e konsideroj se kemi mundur shumë më shumë të bëjmë, sikur në rend të parë të kishin udhëheqësit në përgjithësi në këto dekada, sidomos në këtë dekadën e shpalljes së pavarësisë, në rend të parë të kishin pasur më shumë interesin e vendit se sa shpesh herë interesat partiake, apo grupore dhe personale. Askush nuk mund as të lavdërohet që ka bërë ku me ditë se çfarë punësh. Por nuk mendoj s e ka dhe arsye për defetizëm apo për një pesimizëm të madh. Mendoj se optimizmi, kemi arsye për një optimizëm të matur. Por nuk duhet të na relaksojë dhe të ndalemi dhe mos të vazhdojmë punën më tej”, tha ai.
Ndërkaq Ahmet Isufi nga AAK, thotë se Kosova nuk ka shënuar të arriturat, të cilat i ka pritur populli i saj dhe se nuk ka ndodhur, ajo që është dashur të ndodh. Ai thotë se ka pasur ngecje në shumë fusha dhe se Kosova ka nevojë për një politikë ndryshe.
“Dhjetë vjet pas pavarësisë, janë me sfida me të cilat ka kaluar Kosova. Por nuk janë të arriturat, që ka pritur populli i Kosovës. Për arsye se kemi pasur në disa procese ngecje, sidomos në njohjen e Kosovës. Në politikën e jashtme, lidhur me liberalizimin e vizave. Me integrimet në BE dhe mekanizma tjerë ndërkombëtar dhe kjo ka treguar zbehjen e institucioneve të Kosovës, gjatë kësaj periudhe. Megjithatë sa i përket aspektit të brendshëm, kemi po ashtu një ngecje në zhvillimin ekonomik dhe në zbutjen e varfërisë. Gjë që tregon se Kosova, ka nevojë për një politikë ndryshe qeveritare dhe në përgjithësi institucionale, duke marrë përsipër përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit. Më mirë është të punohet brenda vendit të rriten kapacitetet tona në të gjitha sferat. Se sa të merren me improvizime në politiken e jashtme, e cila në disa raste na ka dëmtuar sa i përket dialogut me Serbinë, që është bi seduar për tema të brendshme të Kosovës dhe si rezultat është zbeh pavarësia e Kosovës, me fusnotën dhe mos prezencën në mekanizmat tjerë ndërkombëtar”, tha Isufi.
Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj thotë se Kosova është më mirë se ka qenë edhe në statusin juridik dhe politik.
Por se ka dhe shumë ngecje, pasi që sipas tij edhe pas dhjetë vjetëve Kosova nuk mund formalisht dhe praktikisht t’i ketë nën fuqinë e vet sovranitetin e vet në gjithë territorin e saj. Ndërsa thekson se nuk ka arritur as të jetë pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare si OKB dhe po ashtu problem ende mbetet pesëshja e BE-së e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.
“Por kur flasim pastaj se sa ka arritur Kosova që brenda këtij dhjetë vjeçari, brenda kësaj dekade, ta forcojë sovranitetin dhe subjektivitetin e vet ndërkombëtar, atëherë këtu kemi probleme. Natyrisht se ka ngecje fatkeqësisht. Edhe pas dhjetë vjetëve Kosova nuk mund formalisht dhe praktikisht t’i ketë nën fuqinë e vet, sovranitetin e vet gjithë territorin e saj dhe kjo është shumë problem. E kam fjalën këtu për veriun e vendit, që vazhdon të jetë problematik…Fatkeqësisht për qytetarët e vendit nuk është se është bërë shumë në këtë aspekt. Papunësia vazhdon të jetë pothuajse e njëjte qysh ka qenë. Dhe gjendja ekonomike vazhdon të jetë e rendë. Ende vendet e BE mbesin si vende të dëshiruara, për të shkuar dhe për të gjetur secili jetën e vet të re, ose për ta përmirësuar mirëqenien e vet. Gjatë kësaj kohe, mirëqenia i është rritur vetëm njerëzve, që kanë qenë në pushtet. Është shtuar numri i milionerëve besoj unë, duke i keqpërdor resurset ehe ekonomike edhe financiare të vendit dhe qytetarëve të varfër. Por jo që ka arritur shteti ta krijojë një strategji, si të dilet nga kjo krizë ekonomike dhe nga kjo situatë e vështirë, me të cilën përballen qytetarët e vendit çdo ditë“, tha Mushkolaj.
Sipas tij institucionet e vendit, kanë pasur shumë më shumë mundësi të bëjnë për këto vite, por u ka munguar një strategji e qartë. Ndërsa theksoi, se bartësit e institucioneve gjatë kësaj dekade, nuk kanë arritur ta krijojnë një shtet me të fortë.
“Institucionet kryesisht po përpiqen që në njëfarë forme, të festojnë më shumë me një makijazh se sa të festojnë me të arritura substanciale…Po del se nuk është e lehtë që të krijohet shteti dhe institucionet e vendit. Respektivisht bartësit e institucioneve të gjithë kësaj dekade, nuk ia kanë dal fatkeqësisht që ta krijojnë një shtet më të fortë se që është tani. Pra një shtet ku qytetarët do të duhej dhe do të ndiheshin të sigurt në çfarëdo aspekti. Dhe në aspektin e sigurisë dhe në aspektin ekonomik dhe në aspektin social. Ne si qytetar kemi probleme në të tria këto aspekte”, tha Mushkolaj.
Edhe deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku thekson se lajmet më të mira të Kosovës kanë ardhur në fillim të viteve të para të shtetësisë, atëherë kur Kosova filloi të marrë shpejt njohje ndërkombëtare nga vendet kryesore dhe kur nisi të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare me renome. Por thotë se Kosova sot gjendet në një pozicion të pafavorshëm ndërkombëtar.
“Kam përshtypjen se sot Kosova gjendet në një pozicion të pafavorshëm ndërkombëtar. Nuk është në pozicionin e njëjte siç ishte në fillim të shpalljes së pavarësisë. Në anën tjetër në arenën e brendshme, nuk ka arritur të adresojë brengat kryesore, të qytetarëve tanë, e që gjithmonë e kemi thënë se lidhen me lëvizje të lirë. Me vendet e punës. Me shëndetësi dhe arsim të denjë. Në këto fusha kemi ngecur shumë dhe për këtë pjesë, natyrisht se fajtor jemi vet, secili me përgjegjësi aq sa ka pasur në pushtet për këto dhjetë vite… Nuk është se kjo festë vjen me të gjitha të mirat për qytetarët tanë. Sepse ne ende jemi me pagë minimale 170 euro. Jemi ende me të papunë me 30 për qind. Jemi ende pa lëvizje të lirë. Dhe ende jemi me shtretër të vjetruar, pa barna e ilaçe në spitale. Diçka që s’bënë me u kënaq me një shtet. Pra shteti ka kuptim, kur shërbimet bazike të qytetarëve iu ofrohen qytetarà «ve. Por gjithsesi madhështia e festës mbetet gjithherë. Pavarësisht kushteve ekonomike në të cilat ne mund të jetojmë”, thotë Abdixhiku