Dhunimi i të riut/ Banori: Do armatosemi e s’do njohim më shtet e polici

Një ngjarje e rëndë është shënuar 3 netë më parë në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bulqizës, por që vetëm sot është bërë publike. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një lokal të fshatit ku gjendeshin rreth 20 persona, ndërsa kanë dhunuar rëndë një 25-vjeçar. Kjo ngjarje bëhet e ditur nga një banor, i cili është edhe anëtar i pleqësisë së fshatit.

Gëzim Miftari thotë se mes personave që panë terror ka qenë edhe djali i tij në lokal. Ai tregon se katër persona të armatosur me armë automatik dhe pistoleta, të maskuar, janë futur në lokal, ndërsa një prej tyre qëndroi tek dera për të ruajtur. Miftari tha për ‘News24’ se 3 autorët e tjerë kanë hyrë brenda duke kërkuar që të gjithë të zvarriten në tokë, ndërsa kanë nisur të dhunojnë të riun me inicialet F.A., duke e goditur me qytën e armës. Pasi e kanë dhunuar fort ata janë larguar ndërsa personat e gjendur aty kanë transportuar të riun në spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Kam qenë ndoshta jo prezent, por kam qenë pas 10 minutash, pasi isha afër. Brenda në lokal ishte djali im. Ngjarja e rëndë s’ka ndodhur asnjëherë në fshatin tonë. Kanë ardhur 3-4 persona, të armatosur dhe me maska dhe kanë hyrë në lokal. Ka qenë rreth orës 21:30 e darkës. Ata iu thanë që të shtriheshin përtokë. Një prej tyre e masakruan, një djalë duke pirë kafe. Sot ai djali është në spital, në gjendje kritike për jetën, është në spitalin e Peshkopisë. Unë i bëj thirrje Edi Ramës, do i dërgoj një mesazh, atij dhe ministrit të Drejtësisë, prokurorit të Përgjithshëm, presidentit të Republikës, që të marrin masat. pasi do armatosemi të gjithë si fshat, dhe nuk do kërkojmë më ndihmën e tyre. S’do lejojmë as policinë e shtetit, asnjë tjetër. Një masakër e tillë ka ndodhur në Kosovë. Kanë bërë rreth 10 minuta terror. Jam 56-vjeç, nuk është parë kjo në historinë tonë. Nëse donte policia e shtetit, mund ta kishte zbardhur. Ne do të armatosemi të gjithë dhe kur të vijë policia e shtetit, do t’i vrasim të parët. Unë futem në burg, 10 vite, 100 vite. Unë them se policia e shtetit i di këto gjëra. Ne kemi humbur besimin tek shteti”,– tha Miftari.

Ai dhe banorët e tjerë të fshatit Gjoricë e Poshtme kërkojnë që autorët të arrestohen pasi kanë ushtruar një terror të madh, duke frikësuar të gjithë fshatin.
© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme