Policia e Tiranës, që prej mesditës së djeshme, ka shpallur në kërkim Rosela Nallbatin alias Çapjan dhe babain e kësaj të fundit, Romir Nallbatin, pasi kanë goditur me sende rrethanore gazetarin Elton Qyno.
Goditja është bërë për shkak të detyrës së gazetarit, i cili prej më shumë se 21 vitesh ka ushtruar detyrën e gazetarit të Kronikës së Zezë në disa nga mediat kryesore të vendit.
Ngjarja e rëndë është regjistruar në ambientet e Spitalit Amerikan 3 në Tiranë, ku gazetari Qyno kishte shkuar për të kontaktuar një nga doktorët e këtij spitali.
Në befasi dhe në prezencë të dhjetëra personave, gazetari është ndeshur menjëherë me veprime të dhunshme nga ana e një shtetaseje të panjohur prej tij, që më vonë është identifikuar si Rosela Nallbati alias Çapja.
Pas verifikimeve të bëra nga oficerët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë, Rosela Çapja rezultoi të jetë gruaja e Florenc Çapjas, një personazh i botës së krimit në Elbasan, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri.
Njëherësh, Florenc Çapja është dënuar nga Gjykata e Posaçme edhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.
Prej ditës së djeshme, Policia e Tiranës ka kryer një seri veprimesh për ta lokalizuar dhe ndaluar Nallbatin, por deri në këto momente nuk është bërë e mundur një gjë e tillë, për shkak të fshehjes së saj.
Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike në ambientet e Spitalit Amerikan, duke dokumentuar të gjitha veprimet kriminale të Nallbatit.
Kontrolle janë kryer në disa zona, përfshirë edhe në banesën e saj në Elbasan, por nuk është bërë e mundur të gjendet.
Më parë, kjo femër, nga Dubai, ku qëndron si rezidente, ka kërcënuar me jetë përmes aplikacioneve online gazetarin.
The post Dhunohet gazetari Elton Qyno, bashkëshortja e Florenc Çapjas dhe babai i saj e godasin me sende të forta appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



