Komuna e Istogut ka njoftuar se organizata Action for Mothers and Children (AMC) ka bërë një donacion të rëndësishëm për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog, për repartin e Pediatrisë.
Sipas njoftimit, me një vlerë prej 15,381.00 euro, donacioni përfshin pajisje dhe mjete mjekësore të avancuara për të përmirësuar cilësinë e trajtimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve.
Në ceremoninë e dorëzimit mori pjesë kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ndërsa donacioni u pranua nga drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë, Zenel Shatri dhe drejtori i QKMF-së, Mujë Osmanaj.
Kryetari Ferati tha se “Ne mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë pajisje të nevojshme për QKMF-në, si me bashkëpunime me donatorë të ndryshëm ashtu edhe me vetëfinancim”.
Pajisjet e dhuruara përfshijnë matës të shtypjes së gjakut për fëmijë, termometra digjitalë, ambu balon për të porsalindur, maska oksigjeni, inhalator, analizator për CRP, monitor pediatrik, EKG, karrocë transportuese dhe shumë mjete të tjera thelbësore.