Tenderi i ri për dializën, fondi 23% më i lartë se pagesa e PPP-së në 2025
Pas përfundimit të koncesionit të dializës, shteti ka hapur tenderin e ri për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a. ka përcaktuar një fond limit prej rreth 4.59 miliardë lekësh, për një marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 48 muaj. E ndarë për katër vite, vlera arrin mesatarisht në rreth 1.15 miliardë lekë në vit.
Kjo shumë është rreth 23.2% më e lartë se pagesa faktike e kryer për PPP-në në vitin 2025, e cila ishte 932 milionë lekë. Në terma absolutë, fondi i ri është rreth 216 milionë lekë më i lartë në vit.
Edhe krahasuar me të gjithë periudhën e koncesionit, kostoja e parashikuar është më e lartë. Mesatarja e pagesave vjetore gjatë viteve 2017–2025 ishte rreth 769 milionë lekë, çka do të thotë se fondi mesatar vjetor i tenderit të ri është rreth 43% më i lartë.
Në vitin 2024, pagesa për koncesionin ishte 920 milionë lekë, ndërsa në vitin 2023 ishte 875 milionë lekë dhe në vitin 2022 rreth 803 milionë lekë. Pagesat nisën nga rreth 370 milionë lekë në 2017, u rritën në 739 milionë lekë në 2018 dhe në 804 milionë lekë në 2019.
Në total, gjatë viteve 2017–2025, për koncesionin e dializës janë paguar rreth 6.9 miliardë lekë. Ndërsa fondi i tenderit të ri, prej 4.59 miliardë lekësh, për vetëm katër vite është 30% më i lartë se shuma e paguar për PPP-në gjatë katër viteve të fundit.
Kontrata PPP u lidh në shkurt të vitit 2016, me afat 10-vjeçar, dhe parashikonte një pagesë prej 11,203 lekësh për çdo seancë dialize.
Pas përfundimit të koncesionit, qendrat dhe pajisjet kalojnë në administrimin e operatorit shtetëror, por shërbimi do të kontraktohet sërish nga jashtë përmes procedurës së prokurimit.
Tenderi është shpallur sot dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 1 shtatori. Vlera prej 4.59 miliardë lekësh është fondi maksimal për marrëveshjen katërvjeçare, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet nga oferta fituese dhe kontratat që do të lidhen gjatë zbatimit të marrëveshjes.
The post Dializa me tender të ri pas koncesionit. Fondi 4.59 miliardë lekë për 4 vite, 23% më i lartë se pagesa e PPP-së në 2025 appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



