E shtune, 22 Tetor 2016 – Sakte.net
Remitencat e pranuara në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës të cilat flasin për gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë shënuar rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Vlera e parave të dërguara nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas këtyre të dhënave ishte 329.6 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.7 për qind raporton REL.
Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, remitencat e pranuara në Kosovë, ishin 338.9 milionë euro.
Rënien e nivelit të remitencave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e quan shqetësuese, për faktin siç thotë ai, “këto para janë një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit në Kosovë”.
“Është një indikator që neve si Odë Ekonomike na ka shqetësuar, na ka shqetësuar nga vet fakti se ka qenë njëra ndër shtyllat kryesore që Kosova të arrijë një stabilitet social dhe një qëndrueshmëri. Kjo rënie e remtiencave fillimisht ka të bëjë me faktin se ne si shtet nuk kemi treguar gatishmëri që t’i motivojmë edhe diasporën për të ndihmuar më tepër. E dyta është si pasojë e krizës financiare dhe globale ekonomike, e cila ka koston e vet”, thekson Gërxhaliu.
Në Ministrinë e Diasporës, rënien vjetore prej 2.7 për qind të remitencave nuk e konsiderojnë të lartë, megjithatë ata besojnë që janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie.
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e remitencave mund të ndërlidhet edhe me gjendjen jo stabile politike në të cilën ka kaluar Kosova gjatë periudhës së fundit.
“Po besoj që janë disa faktorë, një prej tyre është edhe situata politike e cila ka mbretëruar në vendin tonë gjatë këtij viti. Mos të harrojmë që gjendja politike që është në atdhe ndikon shumë më shumë në disponimin e bashkatdhetarëve tanë sesa tek ne që jetojmë në Kosovë. Megjithatë krahasuar me problemet që kemi pasur, shuma e mjeteve të dërguara është e kënaqshme dhe kjo si rezultat i punës që po bëhet për diasporën”, thekson Sheremeti.