“Shqipëria do të hyjë në BE, por ka jo pak probleme”, shkruan “Die Welt”. Me një artikull të titulluar “Make Albania great again”, gazeta e njohur gjermane i bën jehonë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Berlin, duke shkruar se në kryeqytetin gjerman, ish-basketbollisti dhe artisti do të synojë që me sharmin e tij ta bëjë për vete Kancelaren Merkel, me qëllimin të marrë kësisoj mbështetjen e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Rama, – thotë gazeta e cituar nga “Deutsche Welle”, – ka se ç’të tregojë. Ekonomia rritet, Tirana mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE ka marrë udhë…”.
“Por, ka njerëz që janë skeptikë kur shtrohet çështja e anëtarësimit të shpejtë të saj në BE, – thekson e përditshmja gjermane, – e ky skepticizëm lidhet me histori si ajo e tetorit, kur Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës”.
Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve lidhur me rastin “Tahiri” dhe konkludon me përgjigjen e Ramës, teksa i pyetur nga “Die Welt” lidhur me rastin e sikletshëm “Tahiri”, thotë:
“Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë”.
Gazeta thekson se “është një nga këto raste që e prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës”.
Deri më sot, vendit nuk i është hequr plotësisht dyshimi se kriminaliteti i organizuar ka kapur fort ekonominë dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. “Die Welt” kujton se, në raportin e INTERPOL-it për vitin 2017, Shqipëria renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë dhe përshkruhet si pikë e rëndësishme e tregtisë me kokainën dhe heroinën./Top Channel