Gjashtë lokale te Tregu i Gjelbër në Prishtinë sot në orët e mëngjesit janë përfshirë nga flakët.
Zjarrfikësit dhe Policia tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë tha se në ora 05:45 kanë pranuar informatë për zjarr në lokalet te Tregu i Gjelbër.
“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur është pa se zjarri kishte shpërthyer dhe kishte përfshirë 6 lokale”, tha ai.
Gashi tutje bëri të ditur se është bërë ndërprerja e përhapjes së zjarrit dhe për një kohë të shkurtër është vënë nën kontroll.
“Aktualisht jemi ne eliminimin e tërësishëm te zjarrit”, u shpreh komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se rreth orës 05:40, kanë pranuar informatën për një zjarr që ka përfshirë disa lokale në rrugën ‘Ilaz Agushi’ në Prishtinë.
“Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, tha ajo.