Dy automjete janë shkrumbuar nga zjarri ndërkohë që ishin në parking. Pas hetimeve të para burime për “Panorama” bëjnë me dije se një nga makinat, një Mercedes Fuoristradë ML me targë AA 400 JK është e kryetarit të komunës së Lezhës, Fran Frrokaj.
Informacioni i policisë
Policia e Lezhes njofton se rreth ores 00:45, në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Besëlidhja” Lezhë, në parkingun e një pallati po digjen dy automjete. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses të cilët kanë ndërhyre menjëherë duke fikur zjarrin. Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë përfshirë nga flakët dy automjete të parkuara afër njëra – tjetrës, dhe konkretisht: Automjeti Mercedes Fuoristradë ML me targë AA 400 JK në pronësi të shtetases Sh.P. dhe në përdorim nga shtetasi F.F., si dhe mjeti Mercedes Benz me targë LE 7495 E në pronësi të shtetasit K.Ll. Grupi hetimor po vijon kryerjen e veprimeve në vendngjarje. Janë marrë disa deklarime si dhe po bëhet keqyrja e kamerave përgjatë rrugës dhe në afërsi të vendit të ngjarjes me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu po bëhet vlerësimi i rastit nga eksperti piroteknik me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.



