Sipas kryetarës së Gjakovës klasa politike ka mungesë totale të vizionit për zgjidhje të mirëfillt
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila e cila bashkë me deputetin Ilir Deda kanë themeluar subjekti e ri politik “Alternativa”, situatën aktuale në qytetin e Mitrovicës pas tensioneve të fundit, e ka përshkruar si ngjarje të cilat kanë qenë krejtësisht të panevojshme dhe jo qëllimmira.
Ajo ka bërë të ditur se klasa politike sot në Kosovë ka mungesë totale të vizionit për zgjidhje të mirëfilltë të problemeve me të cilat ballafaqohen mitrovicasit, si në anën veriore, ashtu edhe në atë jugore të qytetit.
“Përderisa asgjë nuk ndryshon në situatën aktuale në terren… mbetet një status-quo, një situatë e pazgjidhur e problemit të Mitrovicës, por gjithashtu edhe një mungesë totale e vizionit të perspektivës e zgjidhjes së mirëfilltë të problemeve bazike me të cilat ballafaqohen qytetarët si në anën veriore ashtu edhe në anën jugore.” ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj është absurd të shikohet krenaria e zgjidhjes së problemit të murit. “Muri nuk ishte, muri u krijua nën këtë qeverisje, do të thotë nga struktura aktuale politike në Kosovë dhe Serbi. U bë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, u krijua problem pa qenë, dhe pastaj u deshtë të merremi me këtë problem për të thënë pastaj se ndjehemi krenarë për zgjidhjen e problemit”, ka shtuar Mimoza Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se ekziston një problem shumë më të rëndë, e ai problem është mungesa e një perspektive të zhvillimit për Mitrovicën, problem gjithashtu i ndarjes fizike të qytetit tashmë në dy komuna, por gjithashtu mungesa e një komunikimi çfarëdo në raport me zhvillimet e ardhshme,
Kusari-Lila kritikoi bashkëpartiakun e deridjeshëm kryetarin aktual të Mitrovicës Agim Bahtiri.
Lëvdatat nga ana e kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, për marrjen e epitetit të protagonistit kryesor të sukseseve rreth problemeve në Mitrovicë, Kusari-Lila i ka quajtur vetëm fjalë dhe tentim për marrjen e meritave.
Sipas saj, Bahtiri nuk duhet të përzihet, sepse problemi i Mitrovicës tejkalon nivelin lokal. Ajo potencoi se më tepër sesa vetëm për fjalë apo për shtyrje për merita, Mitrovica sot ka nevojë për zgjidhje.