Sherret për parkingje vazhdojnë të shkaktojnë të tjera viktima në Shqipëri. Një 41-vjeçar nga Tepelena humbi jetën pasditen e shkuar në Sarandë pasi u qëllua disa herë me thikë në zemër nga një 24-vjeçar. Viktima është shtetasi Klodian Bakia.
NGJARJA
Ka qenë ora rreth 18:30 kur në lagjen Nr.1 të qytetit, shtetasi Klodian Bakia është përfshirë në një konflikt me një 24- vjeçar, banues në Laç, por kamerier në qytetin e Sarandës gjatë sezonit veror.
Sherri ka nisur kur 41-vjeçari ka parkuar automjetin e tij para lokalit ku punonte i riu nga Laçi. Në konflikt e sipër për atë që lidhje me parkingun, i riu Xhanelo Tarja ka qëlluar me thikë në zemër 41-vjeçarin, i cili ka mbetur i plagosur rëndë.
Pavarësisht se u transportua me urgjencë për në spitalin e qytetit, Bakia nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. I riu njihej si djalë i sjellshëm në zonë dhe pa probleme.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç. Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar”, sqaroi Policia.
Disa orë pas ngjarjes, policia lokale ka prangosur 24-vjeçarin Xhanelo Tarja ishte fshehur në garazhin e dy pallateve, larg vendit të ngjarjes. Në pranga ka përfunduar edhe një bashkëpunëtor i të riut.
PRECEDENTI
Pak ditë më parë, një sherr për çështje parkingu përfundoi me plagosjen e një 23- vjeçari në qytetin e Durrësit. Ka qenë i plagosuri ai që pas një sherri për parkingun, ka dëmtuar xhamin e automjetit të shtetasit me iniciale A.P., 23- vjeç. Për këtë arsye, ky i fundit e ka goditur me thikë, duke e plagosur të riun me iniciale A.D. Por, në konfliktin me grushte janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qëlluar njëri-tjetrin, duke marrë dëmtime. Policia tha se ata janë proceduar penalisht. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 23 vjeç, dhe A. D., të dy banues në Durrës, pasi 23-vjeçari ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. D., me vetëgjyqësi, pasi ky i fundit ka dëmtuar xhamin e automjetit të shtetasit A. P. Në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit R. D. dhe E. P., të cilët kanë goditur me grushte njëri-tjetrin, duke marrë dëmtime të lehta./GSH