Dinamika e vrasjes në Laknas/ Autori që qëlloi mbi dy fqinjët një javë më parë ishte kthyer nga Londra! Shkak i konfliktit, kanali i ujërave të zeza

Një person u vra me armë zjarri dhe një tjetër mbeti i plagosur pasditen e djeshme pas një konflikti mes komshinjve në zonën e Laknasit. Sherri u tha se kishte nisur kohë më parë për një kanal të ujërave të zeza.


Madje, për konfliktin ishte në dijeni edhe policia por që askush nuk kishte hyrë ta shuante sherrin mes familjeve. Sipas të dhënave të policisë, personi që më pas rezultoi të ishte edhe autori i sulmit me armë ndaj fqinjëve të vet, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia. Ai është takuar pasditen e djeshme me dy fqinjët e tij dhe ka nisur debat i ashpër. Më pas ai ka ikur në shtëpinë e tij ka marrë një armë dhe ka shtirë mbi ta. Për pasojë njërin prej fqinjëve e kanë kapur katër plumba i cili ka ndërruar jetë në vend, ndërsa një plumb ka kapur edhe fqinjin tjetër. Ai gjendet në Spitalin e Traumës, sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

NGJARJA

70-jeçari Maliq Marku me origjinë nga Dibra mësohet se ka qëlluar me armë mbi 55-vjeçarin Shefqet Hasa, duke e lënë të vdekur në vend. I pranishëm në vendin e ngjarjes ka qenë edhe shtetasi Besim Keqa, i cili ka marrë një plumb në këmbë dhe është nisur menjëherë në drejtim të Spitalit të Traumës. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe brenda banesës së tij është gjetur duke i pritur autori i krimit, Maliq Marku. Ai i ka thënë policisë se i vrau për punë kanali, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme, ndërkohë që vetë shefi i komisariatit të Kamzës, pranoi në një dalje për mediat se Marku ishte në shtëpi në momentin kur shkoi policia aty. Ai është vënë në pranga dhe iu ka sekuestruar arma e krimit, të cilën sipas policisë e mbante pa leje. Policia zyrtarisht saktësoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që ende nuk bëhet me dije se përse nuk është ndërhyrë nga autoritetet lokale dhe njëherësh policia që ai konflikt të mbyllej mes palëve.

HETIMET

Referuar të dhënave të pakta që vijnë nga vendi i krimit bëhet me dije se shumë kohë më parë, banorët e rrugës në të cilën banojnë të gjitha palët e përfshira në konflikt janë bashkuar dhe kanë hedhur para për ndërtimin e një kanali të përbashkët që iu mblidhte ujërat e zeza. Maliq Marku, meqë ka qenë jashtë Shqipërie nuk ka hyrë në këtë pagesë, e për pasojë në momentin kur është kthyer para një jave ai ka shkuar në drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve dhe ka kërkuar t‘i mundësohet lidhja edhe atij. Ose të paktën ky është versioni i parë që vjen nga dëshmitë që ka mbledhur policia në vendin e ngjarjes pas aktit të rëndë të vrasjes.

Sipas të dhënave, punëtorët e kanalizimeve kanë shkuar në vendin ku ka kërkuar Marku dhe kanë vendosur piketat që të hapej vendi, ku do të bëhej bashkimi i ujërave të zeza. Por aty kanë dalë Hasa dhe Keqa, të cilët kanë kërkuar që mos të kryhej ajo hapje, pasi nuk ishte paguar asnjë lekë nga Marku. Ka qenë pikërisht ky moment që ka bërë që i moshuari të shkojë në banesë, të marrë armën dhe të qëllojë mbi dy fqinjët e tij. Do të jetë autori dhe i mbijetuari që do të hedhin dritë mbi shkaqet e ngjarjes së rëndë, ku një 55-vjeçari iu mor jeta me 4 plumba ditën e djeshme në Laknas të Kamzës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme