Diplomati amerikan kërkon bisedime Kosovë – Serbi për Haradinajn

Një diplomat i lartë amerikan u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialog dhe të zbutin mosmarrëveshjet lidhur me arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili akuzohet për krime lufte nga zyrtarët në Beograd.

Hoyt Brian Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, i tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës se është me rëndësi të mos lejohet që asnjë incident, qoftë arrestim apo tensione të tjera dypalëshe, të ndikojë në procesin e rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve fqinje.

Duke vepruar në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë, policia franceze ndaloi më 4 janar ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Autoritetet serbe synojnë ta gjykojnë atë vepra penale që ata thonë se lidhen me luftën në Kosovë. Të enjten, një gjykatë franceze e apelit e liroi me kusht Haradinajn, por e urdhëroi atë të qëndrojë në Francë në pritje të një rishikimi të kërkesës serbe për ekstradim. Dje, Serbia kërcënoi se do të refuzojë të ekstradojë personat e kërkuar nga Franca, nëse autoritetet franceze nuk e dorëzojnë Haradinajn.

Kjo çështje kërcënon procesin e brishtë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që do t’i shtonte mundësitë e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

“Ne i nxisim udhëheqësit përgjegjës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje”, tha Yee. “Ky incident”, tha ai, “mund të zgjidhet nëpërmjet institucioneve, në përputhje me ligjin në Francë, ose jashtë Francës”.

“Këto lloj incidentesh mund të zgjidhen dhe ne jemi të sigurt se do të zgjidhen”, tha diplomati amerikan.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme