Diplomati austriak: “Mini-Shengeni” u bë nga BE-ja

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, ka thënë se ideja për një “Mini-Shengen”, ka ardhur nga Bashkimi Evropian.

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, ka thënë se vendimi i Francës, përkatësisht presidentit frances, Emmanuel Macron, për bllokimin e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë është e dëmshme për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor dhe se sipas tij, ky refuzim ka kontribuuar në përshpejtimin e idesë së “Mini-Shengenit”.

“Është gjithmonë e vështirë të argumentohet nëse “B” do të kishte ndodhur po të mos kishte ndodhur “A”, por sipas mendimit tim, tani është e qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor që BE nuk do t’i zgjidhë problemet e tyre në një afat të shkurtër. Po aq e keqe sa vendimi i presidentit Macron është të bllokohet hapja e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, mbase përfitimi i vetëm është që koha e transformimit ka kaluar. BE nuk po pretendon që së shpejti do të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor nuk mund të pretendojnë se me anëtarësimin në BE do t’i zgjidhnin problemet e tyre”, ka thënë Petrich në një intervistë dhënë për portalin serb në Kosovë “Kosovo Online”.

Sipas tij, “Mini-Shengeni”, duhet t’i ndihmojë shtetet që të mbështesin njëra-tjetrën dhe t’i zgjidhin problemet mes vete.

“Dhe kjo është arsyeja pse, ndërsa unë besoj se vendimi i Macron është i dëmshëm për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, mund të thuhet se ka kontribuar në përshpejtimin e idesë së një “Mini-Shengeni”, u shpreh diplomati austriak Wolfgang Petrich.

I pyetur nëse marrëveshja midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore duhet të pranohet nga vendet e tjera të Ballkanit, ai përgjigjet se nuk sheh absolutisht asnjë arsye pse marrëveshja nuk do të pranohej.

“Së pari, natyrisht, e drejta sovrane e vendeve sovrane për të lidhur marrëveshje dhe për të mos ndërhyrë në sovranitetin e të tjerëve ekziston. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, besoj se “Mini-Shengeni”, është jashtëzakonisht premtues për vendet pjesëmarrëse. Vendet e rajonit janë thjesht shumë të vogla për të garuar. Edhe pse tashmë ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë me CEFTA-n, procedurat e gjata kufitare dhe barrierat jotarifore ndalojnë seriozisht përparimin ekonomik dhe mbajnë prapa zhvillimin e të gjithë rajonit”, deklaroi Petrich, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas tij, nëse këto probleme mund të zgjidhen me “Mini-Shengen” dhe nëse prezantohet tregtia e lirë, ekonomistët parashikojnë një përfitim të rëndësishëm për të gjithë.

“Nëse “Mini-Shengeni” përmbush atë që premton, rajoni mund të bëhet një destinacion i përshtatshëm për ndërmarrjet e huaja dhe një treg koherent për mallra, shërbime dhe fuqi punëtore, me të gjitha përfitimet që sjell. Megjithatë, sasia e punës dhe negociatave të nevojshme për ta bërë këtë nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të punohet për arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh Petrich.

Ndërkaq sa i përket kundërshtimit të Kosovës dhe Kroacisë për “Mini-Shengenin”, Petrich thotë se, këto dy shtete kanë arsye të ndryshme.

“Kroacia pretendon se ajo tashmë nuk ka pengesa jotarifore për tregti dhe se qytetarët e saj kënaqen të udhëtojnë nëpër rajon pa pasaportë, kështu që asgjë nuk do të ndryshonte nëse ata do të bashkoheshin në mini-Shengen. Megjithatë, me sa kuptoj unë, detajet e projektit të propozuar nuk janë akoma të qarta. Dhe nëse “Mini-Shengeni” bëhet realitet dhe shihet se sjell përfitime të dukshme, nuk kam dyshim se Mali i Zi do të bashkohet gjithashtu”, tha Petrich.

Ndërkaq sa i përket kundërshtimit të Kosovës për “Mini-Shengenin”, Petrich thotë se, në këtë rast kemi të bëjmë me një çështje tjetër dhe se autoritetet kosovare e shohin këtë si diçka të drejtuar dhe iniciuar nga Serbia dhe pikërisht kjo është arsye përse Kosova po e kundërshton këtë.

“Unë e kuptoj që ekziston një frikë në Kosovë nga çdo projekt i iniciuar nga Serbia, por besoj se hapja dhe shkëmbimi ekonomik mund të jetë një shtytës shumë i rëndësishëm e pajtimit dhe përfundimisht normalizimit të marrëdhënieve. Në fund të fundit, kjo është një ide themelore mbi të cilën BE është ndërtuar, që në fillim përfshinin armiq të vjetër, Francë dhe Gjermani”, theksoi Petrich në këtë intervistë.

Sa i përket moskrijimit të institucioneve të reja në Kosovë se si ndikon në dialogun me Serbinë, Petrich ka thënë se, për aq kohë sa nuk formohet qeveria dialogu padyshim që do të ngecet.

“Atëherë do të shohim zgjedhjet në Serbi në pranverë, gjë që për mendimin tim gjithashtu e ndërlikon dialogun, kështu që besoj se do të duhet të presim edhe disa muaj të tjerë për të arritur ndonjë përparim. Por sidoqoftë, komisioni i ri i BE-së gjithashtu do t’i duhet kohë deri atëherë. Në pranverën e vitit 2020, shpresoj se do të shohim ide të reja të pritura dhe qasje ndaj procesit, proces ky i cili është i bllokuar që shumë kohë”, theksoi Petrich.

Theksojmë se, Kosova dhe Serbia që nga viti i kaluar nuk kanë zhvilluar asnjë takim sa i përket procesit të dialogut, kjo për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme