Disa të vërteta që nuk i dini për vajzën e Naim Tërnaves, Refiqen

Në intervistën e parë ekskluzive për Telegrafin, kandidatja për deputete e Aleancës Kosova e Re, nga lista LDK-AKR-Alternativa, shpalos vizionin e saj për një Kosovë ndryshe. Në këtë intervistë Refiqe Tërnava – Beka premton se subjekti i saj ka plane konkrete dhe të zbatueshme për të sjell këto ndryshime pozitive.

“Nuk jam inkuadruar në politikë për nevoja personale apo për arsye që të filloj një karrierë të vazhdueshme politike. Dëshira për të dhënë kontributin që më takon, në një kohë jo të mirë për shtetin tim, më ka shtyrë që ta konsideroj mundësinë që si deputete e mundshme të ngre zërin për të gjithë ata që janë në nevojë”, ka thënë ajo, duke shtuar se qëllimi i saj është që t’ia dëshmojmë klasës aktuale politike që vetëm të mbash ulësen e politikanit nuk është e mjaftueshme që të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Intervistën mund ta lexoni të plotë më poshtë.

AKR-JA KA ARRITUR TË RUAJË DINJITETIN E VET SI PARTI

• Pse keni vendosur të merreni me politikë?

Tërnava – Beka: E them gjithmonë që nuk është se Kosova nuk ka ecur përpara që nga viti 1999. Sidoqoftë, mund të them me siguri të plotë që ky përparim ka qenë shumë i ngadalshëm dhe me raste edhe i dhimbshëm, dhe ç’është më me rëndësi, është shumë larg nga çka mundur të jetë nëse do të ishin aplikuar politikat dhe veprimet e duhura, së bashku me vullnetin dhe devotshmërinë, që mund të konsiderohen si katalizatori kryesor i aplikimit të suksesshëm të këtyre politikave dhe veprimeve.

Unë nuk jam këtu që të gjykojë se kush është fajtor për gjendjen aktuale socioekononike. Përkundrazi, unë jam këtu më qëllimin e vetëm që së bashku me subjektin të cilin përfaqësojë të analizojmë se çfarë duhet të ndryshohet dhe të zhvillojmë projekte konkrete të aplikueshme që do të mund të sjellin rezultate të dukshme, dhe nëse asgjë tjetër, të shërbejë si shembull se si puna, dedikimi dhe sinqeriteti mund të sjellin rezultate pozitive. Kjo është arsyeja kryesore pse vendosa të inkuadrohem në politikë.

• Pse e zgjodhe pikërisht AKR-në?

Tërnava – Beka: Sot situata politike në Kosovë ka arritur në një fazë që po të inkuadrohesh në një parti politike është e pa mundur të mos etiketohesh për hajni ose korrupsion. Në anën tjetër kemi të rinj që kanë talent, inteligjencë dhe dëshirë për ta ndryshuar këtë gjë, mirëpo stagnojnë pikërisht për të mos u etiketuar me këto vlera degraduese. Duke e pasur këtë gjë në mendje, jam munduar të jem shumë selektive në përzgjedhjen e subjektit politik që mund t’i bashkëngjitëm.

Nga të gjitha partitë garuese në këto zgjedhje, pa mëdyshje mund të them që AKR-ja ka arritur të ruajë dinjitetin e vet si parti. Kjo parti njihet të ketë një kryetar që ka treguar atdhedashurinë e tij duke i dhuruar vendit shumë pa kushte apo kërkesa kompensimi. Është po ky kryetar që më ka dhënë hapësirën e nevojshme që unë të ngre dhe adresoj çështjet që na preokupojnë dhe të jap kontributin që më obligon vendi im.

KLASA AKTUALE POLITIKE E KA KRIJUAR NJË PËRSHTYPJE SHUMË NEGATIVE TEK QYTETARËT E VENDIT

• Çfarë synon të arrish nëpërmjet politikës?

Tërnava – Beka: Nuk jam inkuadruar në politikë për nevoja personale apo për arsye që të filloj një karrierë të vazhdueshme politike. Dëshira për të dhënë kontributin që më takon, në një kohë jo të mirë për shtetin tim, më ka shtyrë që ta konsideroj mundësinë që si deputete e mundshme të ngre zërin për të gjithë ata që janë në nevojë. Pyetja që më ka inkurajuar ta marrë këtë vendim jo të lehtë ka qenë: Sa mund ta dojë një fëmijë Kosovën, kur vazhdimisht e dëgjon prindin e vet duke thënë që nuk jetohet në këtë vend? Sa i/e inspiruar do të ishte ai/ajo që të arrijë diçka në jetën e tij/saj? Dëshira për mos të lejuar që kjo të vazhdoj të ndodh tek fëmija im dhe të gjithë fëmijët e tjerë kosovar, ka qenë arsyeja dominuese që më shtyu të inkuadrohem në politikë dhe të kandidohem për deputete.

• Në media është raportuar që në fushatë keni shkuar me veturë të shtrenjtë, si e komentoni këtë?

Tërnava – Beka: Fatkeqësisht në Kosovë, klasa aktuale politike e ka krijuar një përshtypje shumë negative tek qytetarët e vendit, që kushdo që zotëron pasuri të mendohet që e ka krijuar në mënyrë jo legjitime si pasojë e korrupsionit të pa fund në të cilën janë zhytur. Të ju kujtoj që si familje jemi shumë falënderues që zotërojmë pasurinë aktuale e cila është bërë me trashëgimi, nderë dhe dinjitet. Për të gjithë ata që kanë dyshime rreth kësaj pasurie, të jenë të bindur që po të mos ishte legjitime, jam e sigurt që as unë e as familja ime nuk do të ishim këtu ku jemi. Jemi të hapur për të gjitha organet kompetente për ta vërtetuar këtë gjë.

• Ju jeni kandidate për deputete në listën LDK-AKR- Alternativa, nëse zgjidheni deputete cila do të jetë çështja e parë që do ta adresoni në Parlamentin e Kosovës?

Tërnava – Beka: Si nënë, do të mundohem të jemi zëri i të gjithë fëmijëve kosovar. Unë synoj që të inicioj projekte që lidhin fëmijët me aktivitete që iu mundësojnë atyre të mendojnë, analizojnë dhe diskutojnë problemet, mundësitë dhe qëllimet në jetën e tyre. Përmes këtyre projekteve, ne synojmë që të sigurojmë një ambient të kënaqshëm për fëmijët tanë ashtu që ata të arrijnë potencialin e tyre më të lartë.

Të mbushur me energji dhe ambicie të larta, fëmijët e shtetit të porsalindur të Kosovës janë pasuria më e vlefshme e saj. Që ata të jenë të shëndetshëm, të sigurt dhe kureshtarë, ata kanë nevojë për mbrojtjen, mbështetjen dhe kujdesin tonë gjatë tërë fëmijërisë së tyre.

Ne duam që ta shohim Kosovën duke lulëzuar, ku fëmijët zënë një vend të rëndësishëm në shoqëri. Nuk ka aspak dyshim që fëmijët kanë potencialin dhe kapacitetin që të transformojnë vendin tonë në një fanar të shpresës dhe prosperitetit.

Të ndihmojmë fëmijët e Kosovës të thyejnë barrierat që i pengojnë ata të kenë një vend dhe komb që e meritojnë!

DO TË BËJË ÇMOS QË T’I PËRFAQËSOJË VLERAT FAMILJARE DHE ATO SHOQËRORE QË KOMBI JONË KA

• Për të hyrë në Parlament duhet të keni vota, çka do të ndodhë me juve nëse nuk arrini të jeni deputete në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit të Kosovës?

Tërnava – Beka: E potencova edhe më parë: nuk i jam futur politikës që të filloj një karrierë të vazhdueshme në të. Më është dhënë mundësia që të jem pjesë e një subjekti politikë shumë të respektuar i cili më ka krijuar hapësirën e nevojshme që t’i adresoj problemet me të cilat ballafaqohen gratë kosovare, fëmijët e tyre dhe rinia në përgjithësi. Që të jem sot këtu, më është dashur të kaloj në disa sfida që nuk kanë qenë të lehta. Sfida që më kanë detyruar të jem shumë autokritike për të qenë në gjendje që t’i përfaqesoj gratë, nënat dhe rininë kosovare në mënyrën më të dinjitetshme të mundshme. Prandaj, do ja lë kohës që të jetë gjykuesi më i mirë për të ardhmen time politike.

• Pse vlerësoni që nëpërmjet politikës mund të bëni ndryshime prej asaj para se të aktivizoheni në subjekt politik dhe cili do të jetë zëri juaj?

Tërnava – Beka: Qëllimi im është që t’ia dëshmojmë klasës aktuale politike që vetëm të mbash ulësen e politikanit nuk është e mjaftueshme që të bëhen ndryshimet e nevojshme. Ndërkohë, qëllimi im është që t’i tregojmë shoqërisë sonë që nuk duhet të pritet që çdo problem të zgjidhet nga qeveria apo komuniteti ndërkombëtar. Kosova është vendi i secilit që e ndjen vetën kosovar, dhe si e tillë, ne jemi të gjithë të detyruar që të japim kontributin tonë të sinqertë që ta sjellim Kosovën në pozitën dhe ta bëjmë vendin që ajo e meriton të jetë. Siç ka thënë John F. Kennedy, “mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”, kështu që, është obligimi ynë patriotik, fetar dhe moral që të bëjmë vendin tonë më të mirë.

Unë nuk mund ta di se si do të dukej bota ideale, e as që do të doja ta dija. Por, nëse e imagjinojmë se si do të ishin njerëzit në një botë ideale, ne fillojmë të shohim vizionin të cilin e kam për Kosovën. Kosova që ne duam ta kemi është e përbërë nga njerëz që janë të aftë, të pavarur, me aftësi udhëheqëse, inspirues, një shembull për shoqërinë e tyre.

Me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin që kam do të bëjë çmos që t’i përfaqësojë vlerat familjare dhe ato shoqërore që kombi jonë ka. Do të mundohem të jemi zëri i të gjithë të prekurve nga padrejtësitë që po shkaktohen në Kosovë. Punën time si deputete do e bëjë me devotshmërinë më të madhe; suksesi është diçka mbi të cilën nuk kemi ne kontroll direkt.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme